VV dhe LDK harmonizojnë 100% programin, pjesa politike u mbetet Kurtit e Mustafës

VV dhe LDK harmonizojnë 100% programin, pjesa politike u mbetet Kurtit e Mustafës

Pas takimit të fundit në mes të grupeve punuese LDK-VV, ka folur anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu që ka deklaruar para mediave se sot janë dakorduar 100 për qind për programin.

“Dje pas takimit në mes të kryetarëve ne jemi mandatuar si grup punues për të finalizuar edhe çështjet programore për të cilat nuk kemi pasur dakordim të plotë, sot pas një takimi mund të them se të gjitha çështjet në kuptimin programor që i kemi pasur dhe të cilat nuk kemi paepur një dakordim më herët. Sa i përket programit, 100 për qind jemi të dakorduar. Drafti i marrëveshjes do të bëhet publik”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka shkruar se marrëveshja do të nënshkruhet në fillim të javës së ardhshme.

“Në çështjet që do të kenë të bëjnë për ndarje të përgjegjësive do të jenë në mes të kryetarëve, marrëveshja do të nënshkruhet në fillim të javës tjetër, shumë shpejtë do të arrihet marrëveshja, kemi pasur një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë. Takimi ishte shumë konstruktiv, shumë shpejtë gjithçka do të jetë gati, varemi pastaj prej thirrjes së seancës nga presidenti Thaçi, në qoftë se ka vullnet ai duhet që seancën ta thërret shumë shpejtë”, deklaroi tutje.

Sa i përket thirrjes së seancës së Kuvendit, nga presidenti Hashim Thaçi, Haxhiu thotë se ai është i obliguar që të veprojë si e saktëson Kushtetuta.

“Unë nuk besoj që është në interes të tij të bëjë shkelje kushtetuese, ju e dini që në momentin kur bën shkelje, ne e kemi obligim t’i drejtohemi Gjykatës, ai e ka obligim seancën brenda 30 ditëve, nëse nuk e thërret ne mblidhemi vetë. Kemi nenin kushtetues, që parasheh për mandatarin që presidenti duhet ta respektojë”, shtoi ajo.

Albulena Haxhiu ndryshe ka thënë se nesër do të ketë takim në mes të dy liderëve të partive.

“Ky është një spekulim, ne as nuk kemi hapur këtë temë, as për ministri, as për kryetarin e kuvendit, e aq më pak për presidentin, takimi do të jetë nesër. Marrëveshja në fillim të javës së ardhshme”, ka thënë e njejta./GazetaExpress

 

COMMENTS