Vrasja në Prizren: 61-vjeçari e qëlloi gruan me 15 plumba e pastaj e thirri vetë policinë

Vrasja në Prizren: 61-vjeçari e qëlloi gruan me 15 plumba e pastaj e thirri vetë policinë

Pak minuta pasi që dyshohet se B.V., 61 vjeç, kreu krimin e rëndë, vrau gruan e tij 42 vjeçe, ai e kishte telefonuar policinë. “E kam vrarë gruan”, u kishte thënë zyrtarëve të hetuesisë 61-vjeçari. Në vendin e ngjarjes, sipas policisë, në rrugën “Hysni Morina” të Prizrenit, ai kishte gjuajtur 15 plumba. E ndjera ka vdekur në vendin ku ka ndodhur krimi. Çifti kishte më shumë se 2 javë që kishin ardhur në Kosovë. Ata nuk kanë fëmijë nga martesa e tyre. Por kjo ishte martesa e dytë e çiftit. Që të dy kishin fëmijë nga martesat e para. Sipas prokurorisë, çifti nuk njihej si problematik. Express ju sjell detaje të reja nga Prizreni.

Gentiana HASANI

Gjatë muajit korrik, B.V., 61 vjeç, e gruaja e tij, tani e ndjerë, A.V., 20 vjet më e re se dorasi, kishin ardhur për pushime në Kosovë. Por problemet e çiftit bënë që 61-vjeçari ta mbysë gruan e tij. E menjëherë pas aktit të rëndë, ai e kishte njoftuar Policinë e Kosovës, duke i thënë “E kam vrarë gruan.

Policia në vendin e ngjarjes ka shkuar pak pas orës 23:00 të mbrëmjes. Aty është gjetur viktima A.V., e cila është gruaja e të dyshuarit për vrasjen. Nga vendi i ngjarjes janë konfiskuar 15 gëzhoja të plumbave me të cilat dyshohet të jetë kryer ngjarja e rëndë.

Për Gazetën Express, detaje rreth kësaj ngjarjeje të rëndë ka dhënë edhe prokurorja që po merret me rastin.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka dhënë për Gazetën Express detaje se si ka ndodhur rasti, duke treguar se i dyshuari ka telefonuar vetë policinë pasi dyshohet se e ka vrarë bashkëshorten e tij.

“Vetë i dyshuari e ka telefonuar policinë mbrëmë rreth orës 23:00, dhe ka raportuar se e ka vrarë bashkëshorten e tij. Megjithatë, ende nuk e kam pranuar deklaratën e tij që e ka dhënë në polici dhe ende nuk dihet motivi i saktë i vrasjes”, ka thënë Gashi.

Ajo tutje ka shtuar se është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ku janë gjetur më shumë se një gëzhojë.

“Trupi i viktimës është dërguar në IML, ndërsa i dyshuari është në ndalim për 48 orë dhe do të kërkohet masa e paraburgimit ndaj tij”, ka thënë prokurorja.

Tutje, prokurorja ka bërë të ditur se ka verifikuar nëse nga viti 2005 e deri më tani ka ndonjë rast të paraqitur për dhunë në familje nga viktima, por e njëjta ka thënë se nuk ka gjetur një rast të tillë.

E sipas policisë, me vendim të prokurorit, është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm, si dhe 42 fishekë të kësaj arme. Dyshohet se me të njëjtën armë i dyshuari ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë”. I dyshimti dhe viktima kanë qenë bashkëshortë.

Në këtë rast është ndaluar në afat prej 48 orësh personi i dyshimtë B.V., i lindur në vitin 1958.

Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në IML për procedura të mëtutjeshme hetimore.

Me rastin po merren njësitë e hetimeve rajonale në Prizren. GazetaExpress

 

COMMENTS