Vetëmohuesi

Vetëmohuesi

Kur më 1991 nga Parlamenti Evropian u shpall laureat i çmimit për mendimin e lirë “Sakharov”, para anëtarëve të këtij institucioni do të paraqitej një njeri që pjesën më të madhe të jetës së tij të deriatëhershme e kishte kaluar në burg. Numëronte 28 vjet në burg dhe 55 jetë.

“Pa fjalë të lirë s’ka dialog, pa dialog nuk mund të zbulohet e vërteta, kurse pa të vërtetën nuk ka progres”, me një zë të thekshëm do t’iu thoshte eurodeputetëve, Adem Demaçi.

Fjalimi i gjatë i njeriut të imët në dukje, shpaloste gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme. Por si njeri që për liri kishte sakrifikuar shumë e nuk ndalej së kontribuuari, në këtë rast do të përmendte edhe gjendjen e disa popujve të tjerë në ish-Jugosllavi. Ishte portreti më i rrumbullakuar sa i përket luftës kundër shtypjes. Në njëfarë forme, qëndrimi në burg për bindjet e tij, ishte diçka krejt normale.

“Atë e kam pasur punë, si ik njeriu nga puna e tij”, do të përgjigjej ai në një rast kur ishte pyetur nëse i kishte vajtur ndonjëherë mendja të ikte nga burgu.

Mësuesi i burgjeve

Demaçi vdiq të enjten mbrëma në moshën 82-vjeçare. Pasi që kreu studimet për letërsi botërore në Beograd, nisi të punonte në të përditshmen “Rilindja”. Si letrar, do të njihej nëpërmjet shkrimeve të botuara në revistën “Jeta e Re”.

E romani i tij “Gjarpinjtë e gjakut” i botuar më 1958, do të shndërrohej në një libër kult për shqiptarët në ish-Jugosllavi. Njëjtë sikurse edhe autori i veprës sa i përket frymëzimit për të kërkuar liri e të drejta themelore për popullin shqiptar. “Simbol i rezistencës” e “Mandela i Kosovës”, janë dy prej epiteteve të përjetshme që ka marrë ai.

Plot 28 vjet të jetës i ka kaluar në burg. Më 1958 do të dënohej për herë të parë, më 1964 për herë të dytë e më 1975 për herën e tretë. Sa herë që përmendeshin të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, përmendej edhe emri i Demaçit. Emrin e tij e kishin brohoritur edhe në protestat e vitit 1968.

 

 

COMMENTS