Veseli reagon për ftesat e reja të Speciales për Jakup Krasniqin dhe Sokol Bashotën

Veseli reagon për ftesat e reja të Speciales për Jakup Krasniqin dhe Sokol Bashotën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së Kadri Veseli ka reaguar pas ftesave të reja që Gjykata Speciale ka lëshuar për ish-Zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe për ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm, Sokol Bashota.

“Kjo është një goditje për bashkëluftëtarët e mi, për UÇK-në dhe luftën tonë, por unë jam i sigurtë që do e kapërcejmë me kurajo dhe nder këtë sfidë së bashku dhe do dalim prej saj më të fortë se më parë”, ka shkruar ndër të tjera Veseli në faqen e tij në Facebook.

“Me keqardhje pranova sot lajmin e thirrjes nga gjykata speciale të ish-Zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Jakup Krasniqi menjëherë pasi janë thirrur tashmë ish- shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish- komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe ish- anëtari i Shtabit të UÇK-së, Sokol Bashota. Kjo është një goditje për bashkëluftëtarët e mi, për UÇK-në dhe luftën tonë, por unë jam i sigurtë që do e kapërcejmë me kurajo dhe nder këtë sfidë së bashku dhe do dalim prej saj më të fortë se më parë. Unë jam i bindur se ata do të kthehen përsëri të pafajshëm e kryelartë sepse e drejta ka qenë dhe mbetet në anën tonë dhe ne kemi qenë në anën e duhur të historisë”, ka shkruar Veseli.

Krejt këto zhvillime po ndodhin në kohën kur Ramush Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

Kohëve të fundit, Haradinaj prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendi. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ramush Haradinaj është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.

 

COMMENTS