Veliaj si sekser dhe aktorët si pronarë trualli

Veliaj si sekser dhe aktorët si pronarë trualli

Po pozojnë të lumtur në padijen, kompleksin e inferioritetit apo babëzinë për para, por duhet ta dinë se nesër fotot e bëra me sekserin Veliaj do t’u mbeten si vula vandalizmi, me të cilat do të tallen brezat që do të vijnë – nëse ky vandalizëm do të lerë njerëz me sadopak mend në këtë vend.

A ju kujtohet që në vitet ‘90 ka qenë shumë i përhapur fjala “sekser”? Tani sikur është harruar, aq sa besoj se, për një pjesë lexuesish, duhet ta rikujtoj kuptimin. Me dy fjalë, sekseri ishte një person, i cili shërbente si ndërmjetës midis një ndërtuesi apo pronari privat dhe një politikani. Ai kujdesej në fshehtësi dhe mirëbesim të ndërhynte te politikani për sigurimin e një lejeje ndërtimi pa kontakte direkt të këtij me privatin. Sigurisht, kishte shpërblimin e vet që varej nga sa kate fitonte ndërtuesi dhe çfarë pjese kërkonte politikani. Thuhet, që këtë punë e kanë bërë edhe figura goxha të njohura. Po ta shohësh hollë-hollë, koha e sekserëve ka qenë më “e shëndetshme” moralisht se periudha që po jetojmë. Kjo, sepse vetë nevoja e sekserit nënkuptonte që politikani e ruante njëfarë cipe përpara publikut që e kishte zgjedhur, nuk ekspozohej direkt me privatët. Nga ana tjetër, edhe privatët, ndërtues apo pronarë trualli, nuk guxonin t’i shkonin t’ia bënin ofertën korruptive sy ndër sy.

Tani kemi arritur në një kohë kur sekseri është bërë i panevojshëm sepse politikani dhe ndërtuesi ndajnë mes vetes edhe lekët e sekserit. Është bërë e panevojshme edhe fshehtësia sepse pazaret këta i bëjnë sheshit nëpër televizione, dalin edhe në fotografi me palët. Madje “vendimet” e tyre i aprovon edhe Parlamenti.

Një sekserllëk në qiell të hapur ishte edhe përpjekja titanike që bëri Erion Veliaj në aferën e Teatrit Kombëtar, që u kurorëzuan me marrëveshjen e arritur me aktorët, si dhe futjen në kalendarin e Parlamentit të projektligjit, që i jep pronarit Fusha të drejtën të shembë Teatrin dhe të ndërtojë atje. Pazari i parë i mbyllur ishte ai midis politikanit Rama dhe ndërtuesit Fusha, i afërmi i të cilit, prokuror, i hoqi qafe Veliajt atë akuzën për Arditin e vrarë në landfillin e Sharrës. Por ja që dolën disa aktorë të Teatrit që nuk po binin dakord sepse ndër ta disa duan të shembet duke ndërtuar edhe kulla, disa duan të shembet pa kulla, e disa të tjerë të ruajnë shtëpinë e vjetër sepse ajo ka histori. Për sekserin, nuk ishte e vështirë të kandiste aktorët që s’kanë qenë kurrë aktorë, por “vetëm zë”, siç e quante dikur Edi Rama Artan Imamin, të cilët, për fat të keq, nuk ishin pak. Por një pjesë aktorësh po bërtisnin fort kundër, duke përdorur edhe emrin e tyre publik. Gjithsesi, sekseri Veliaj i luajti të gjithë gurët derisa arriti ta mbyllë pazarin edhe me ta (ndonëse ca aktorë thonë se nuk është mbyllur).

Po pse thua “sekser” dhe jo “kryetar bashkie” do të pyesë dikush? Sepse në gjithë këtë vendimmarrje mungon një protagonist shumë i rëndësishëm, në fakt më i rëndësishmi, qytetari i Tiranës, i cili mungon pikërisht sepse mungon kryetari i bashkisë, ai që qytetari e ka votuar pasi i premtoi se në Tiranën historike nuk do të kishte më ndërtime. (Ka edhe mungues të tjerë në këtë histori si Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve, Prokuroria që do të duhej të kishte nisur hetimin mbi firmën “Fusha” për përmbytjen e Bibliotekës Kombëtare dhe mbi të gjitha ligji, që në këtë rast do të duhej të kishte qenë Plani Urbanistik i Tiranës, që me kohë duhet të kishte fiksuar zonat e paprekshme ku s’mund të fusin hundët sekserët. Por në këtë shkrim do të përqendrohem tek sekseri i Edi Ramës që po luan rolin kryesor në këtë maskaradë).

E pra, Erion Veliaj si kryetar Bashkie do të duhej të përfaqësonte interesat e gjithë qytetarëve, jo vetëm për premtimin që ka dhënë për të mos e shkatërruar edhe më Tiranën historike, por edhe sepse qytetarët e shohin atë që po ndodh me Teatrin Kombëtar si një skandal shumëplanësh. Skandal, sepse po u vidhet prona publike; skandal, sepse po u shkatërrohet një monument kulture në një zonë historike; skandal, sepse po planifikohet një mbingarkesë ndërtimesh në një zonë që nuk mban; skandal, sepse po pastrohen para të drogës që fuqizojnë kriminelët; skandal, sepse projektligji i hartuar enkas për “Fushën” është fundi i çdo koncepti të shtetit të së drejtës. Si ka mundësi që kryetari i Bashkisë nuk i përfaqëson këta? E thashë: sepse ai nuk është kryetar Bashkie, por sekser. Ashtu si ata sekserët e fshehtë që filluan shkatërrimin e Tiranës në vitet ’90, ai s’ka lidhje as me ligjin, as me interesin publiku, ai ka lidhje vetëm me politikanin (Edi Ramën) me ndërtuesin “Fusha” dhe… këtu vjen e bukura: me pronarin e truallit.

Dhe ja ku dalim tek aktorët. Duke parë lajmin e marrëveshjes dhe foton që kishte botuar sekseri me ta, nuk mund të mos më lindte pyetja: Me çfarë tagri vendosin këta aktorët për prishjen e një prone, që nuk është e tyrja, por e të gjithëve? Mirë se sekserit, politikanit dhe ndërtuesit, për të mbyllur sa më lehtë çështjen, u interesoka që aktorët të trajtohen sikur të jenë ata pronarët e Teatrit dhe truallit përreth, por aktorët pse e pranojnë këtë rol që është sa i paligjshëm aq edhe i pamoralshëm? Aq më tepër kur e quajnë veten artistë. A nuk u vjen turp për atë që nesër do t’i akuzojnë se u kanë premtuar ndonjë apartament në kullat që duan të ndërtojnë dhe me kaq e kanë mbyllur pazarin me sekserin; se e gjithë protesta e tyre paska qenë për të rritur sipërfaqen e metrave katrorë, që do të përfitonin nga marrëveshja Rama – sekser – Fusha? Në fakt, sekseri kishte kohë që thoshte lart e poshtë se ata thjesht kërkonin të rrisnin pazarin.
Jo vetëm, por një pjesë prej tyre shkojnë e pozojnë me sekserin edhe te ndërtimi i monstrës tek ish-stadiumi “Qemal Stafa”, për të legjitimuar vandalizmin e kryer atje.
Po vandalizëm. Kështu quhet akti i kryer ndaj stadiumit “Qemal Stafa” nga Edi Rama dhe rrethi i rilindësve të tij politikanë dhe ndërtues. Edhe ai që kërkojnë të kryejnë te Teatri Kombëtar, vandalizëm është. Kur shpjegojnë motivet e vandalizmit, studiuesit thonë se vandali i kryen ato ose sepse nuk ua di vlerën objekteve që shkatërron për shkak të padijes, ose sepse ka një kompleks inferioriteti ndaj bukurive që paraqesin këto objekte. Vandali Edi Rama, sekseri Erion Veliaj, ndërtuesi “Fusha” dhe artistët që i mbështesin i kanë të dyja së bashku, me syverbësinë dhe padijen që u shkakton etja e panginjshme për para dhe për pushtet. Ndryshe nuk do të mund të bëheshin bashkë në një grup kaq grotesk. Sot i shoh që pozojnë të lumtur në padijen, kompleksin e inferioritetit apo babëzinë për para, por duhet ta dinë se nesër fotot e bëra me sekserin Veliaj do t’u mbeten si vula vandalizmi, me të cilat do të tallen brezat që do të vijnë – nëse ky vandalizëm do të lerë njerëz me sadopak mend në këtë vend.

/Panorama

 

COMMENTS