UEFA s’e përjashton mundësinë që Kosova dhe Serbia të përballen në EURO 2020

UEFA s’e përjashton mundësinë që Kosova dhe Serbia të përballen në EURO 2020

Organi qeverisës i futbollit në Evropë, UEFA, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Kosova dhe Serbia të përballen mes vete në fazën eliminatore të Kampionatit Evropian 2020, nëse dy ekipet kombëtare e arrijnë atë fazë.

Kosova s’e arriti kualifikimin direkt në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A, pasi që mbeti në pozitën e tretë, prapa fitueses së grupit Anglisë dhe Çekisë.

Megjithatë, ëndrra e Kosovës nuk u mbyll me kaq. Dardanët kanë mundësi të kualifikohen në këtë kampionat përmes rrugës D të play-offs, ku në gjysmëfinale do të luajnë kundër Maqedonisë, ndërsa në finale i pret ose Gjeorgjia, ose Bjellorusia.

Fat të ngjashëm ka pasur edhe Serbia, e cila s’e arriti kualifikimit përmes fazës së grupeve kualifikuese. Por, tani Serbia do të garojë në rrugën C të play-offs, ku, nëse triumfon kundër Skocisë, Norvegjisë dhe Izraelit, e siguron një vend në EURO 2020.

Për shkak të vendimeve që janë marrë nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, Kosova s’do të lejohet të përballen me Serbinë, Bosnjën apo Rusinë në fazën e grupeve të EURO 2020, nëse eventualisht e arrin kualifikimin.

Megjithatë, një gjë e tillë s’është përjashtuar për fazën eliminatore të këtij turneu.

“Të gjitha kufizimet janë të vlefshme vetëm për fazën e grupeve. Kështu që nuk mund të përjashtohet që skuadrat e lartpërmendura mund të takohen gjatë fazës eliminatore të turneut”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.

Kampionati Evropian do të hapet në Romë në orën 21:00 më 12 qershor të vitit 2020. Faza e grupeve, me deri në nga katër ndeshje në ditë, do të vazhdojë deri më 24 qershor. Top dy skuadrat në secilin grup dhe katër skuadrat e tjera më të mira do të kalojnë në fazën eliminatore. Stadiumi “Wembley” do të jetë nikoqir i gjysmëfinaleve dhe finales. /Gazeta Express

 

COMMENTS