“U përdhunova nga serbët në prani të prindërve, babai vdiq nga sulmi në zemër pas këtij akti”

“U përdhunova nga serbët në prani të prindërve, babai vdiq nga sulmi në zemër pas këtij akti”

Ishte marsi i vitit 1999, kur një 25-vjeçare u përdhuna seksualisht nga policë serbë, në shtëpinë e saj në Gjakovë, madje në prani të dy prindërve.

Pas këtij momenti, babai i saj pësoi sulm në zemër dhe vdiq, ndërsa ajo u nxor jashtë e zhveshur për ta parë fqinjët e saj.

Ky ishte rrëfimi i një viktime të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, para pjesëmarrësve të konferencës “Dhënia e zërit këtyre të mbijetuarve”, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit.

Gruaja e cila foli tha se dhimbja e kësaj plage shtohet kur kryerësit e këtyre veprave janë të lirë dhe askush nga ta deri më tani nuk është dënuar për mijëra raste të tjera të përdhunimit.

Ndonëse u vlerësua puna e shtetit të Kosovës, si i vetmi vend i cili ka filluar me shpërndarjen e pensioneve për këtë kategori, u kërkua përkushtim dhe përkrahje edhe më e madhe.

“Kosova shihet si shembulli më i mirë për përkrahjen që ua ka bërë viktimave të dhunës seksuale, duke hartuar bazën ligjore për dhënien e pensioneve. Edhe shoqëria kosovare duhet t’i mbështesë të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe nëse ju duhet ndihma jonë, do ta keni atë, vetëm na thoni”, tha Christian Heldt, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, raporton KTV.

“Kosova ka arritur përparim të sigurt që viktimat të dalin dhe të rrëfejnë hapur atë se çka u ka ndodhur dhe të kenë përkrahje. Por dua t’i përmendi edhe dy fusha të tjera për të cilat udhëheqësit e vendit duhet të bëjnë edhe më shumë sikurse janë trajtimi i njëjtë edhe i viktimave të komuniteteve të tjera dhe mbështetja edhe e viktimave të dhunës në familje”, u shpreh Philip Kosnett, Ambasador i SHBA- së në Kosovë.

“Le ta kremtojmë atë që është arritur për këtë kategori, por t’i dëgjojmë edhe zërat e tjerë të viktimave, pasi zëri i tyre është më i fuqishmi”, Ruairi O’Connell, deklaroi Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë .

Kryeministri Ramush Haradinaj u zotua se do të vazhdojë ta përkrahë edhe më shumë këtë kategori.

Ndërkombëtarët, gjithashtu, bënë thirrje që keqtrajtuesit të zihen dhe të dënohen për veprat e tmerrshme që kanë kryer, pasi, sipas tyre, kjo dhunë nuk mund të lihet e pandëshkuar.

 

 

COMMENTS