Thaçi sfidon Veselin, shkon në villen Adem Grabovcit

Thaçi sfidon Veselin, shkon në villen Adem Grabovcit

Ish-Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi i ka shkuar sot në villen e Adem Grabovcit. Këtë e kanë bërë të ditur familjarët e ish-Nënkryetarit të PDK’së, të cilët kanë publikuar foto me Presidentin. Ditë më parë Kadri Veseli vendosi t’i përjashtonte nga Partia të gjithë ata që kanë aktakuza. Në mesin e tyre edhe Adem Grabovcin.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duket se ka vendosur t’i prishë prapë raportet me Kryetarin e PDK’së, Kadri Veselin, pasi për një kohë të gjatë s’kishin komunikuar dhe kishin lëshuar akuza ndaj njëri-tjetrit.

Tash, ish-Kryetari i PDK’së ka vendosur t’i nderojë njerëzit që i përjashtoi Kadri Veseli nga PDK’ja. Në mesin e tyre edhe Adem Grabovcin, i cili ka aktakuzë për rastin “Pronto”.

Thaçi pasi e ka nderuar familjen Grabovci duke ia dhënë dëshmorit Dinë Grabovcit urdhrin “Hero i Kosovës” ka shkuar edhe në konakun e kësaj familje.

Presidenti sot ka shkelur edhe në villen e Adem Grabovcit.

Express ka siguruar foto të publikuara nga familjarët e Grabovcit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur të dekorojë vëllain e Adem Grabovcit me Urdhrin “Hero i Kosovës”. Këtë veprim ish-Shefi i PDK’së e ka bërë vetëm dhjetë ditë pasi Adem Grabovci u përjashtua nga Këshilli i Përgjithshëm i PDK’së me vendim të Kadri Veselit. Nuk dihet pse shefi i Shtetit s’e ka dekoruar Dinë Grabovcin në vitin 2016, 2017, 2018 apo para se Adem Grabovci të shkarkohej prej pozitës së anëtarit të Këshillit Drejtues të PDK’së për shkak të aktakuzës në rastin “Pronto”.

Express ka raportuar sot se Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit nuk i kishte rënë ndër mend për më shumë se tre vjet ta dekoronte dëshmorin Dinë Grabovci me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Megjithëkëtë, Shefi i Shtetit kishte vendosur të dekoronte vëllain e ish-zyrtarit të PDK’së vetëm pak ditë pasi Kadri Veseli vendosi ta përjashtonte nga Partia Adem Grabovcin dhe zyrtarët tjerë me aktakuza.

Express ka provuar të kontaktojë disa herë përmes telefonin Adem Grabovcin për ta pyetur se pse Presidenti s’e kishte bërë këtë veprim më herët por pasi Kadri Veseli e përjashtoi nga Këshilli Drejtues i PDK’së. Mirëpo, s’është përgjigjur në telefon.

Thaçi doli në foto me Adem Grabovcin dhe me djalin e dëshmorit Dinë Grabovci.

Adem Grabovci para se të eliminohej nga afera “Pronto” kishte qenë zyrtari më i rëndësishëm i PDK’së. Kryesisht, fuqinë e kishte marrë në kohën kur Hashim Thaçi ishte bërë Kryeministër ndërsa Grabovci Shef i Grupit Parlamentar të PDK’së dhe Nënkryetar i partisë.

Grabovci asnjëherë s’ka lëshuar akuza në drejtim të krerëve të PDK’së megjithëse ka thënë disa herë se nuk është përgjegjësi i vetëm për të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur Kosovës. Madje, kur përufunduan zgjedhjet në PDK, ish-Nënkryetari i kësaj partia e kishte uruar i pari Veselin, i cili mori vendimin për largimin e njerëzve me aktakuza pasi u rizgjodh Shef i PDK’së.

“Urime rizgjedhja kryetar i PDK-së, miku, bashkëluftëtari dhe bashkëpartiaku im Kadri Veseli. Njëherësh, urime e punë të mbarë Konventës së IX zgjedhore të PDK-së”, kishte shkruar Grabovci, i cili ka kërcënuar disa herë zyrtarët e PDK’së se do të flasë për të gjitha temat.

Aktualisht, Grabovci përpos se është përjashtuar nga PDK’ja nuk ka ndonjë funksion publik. Edhe në Degën e PDK’së në Pejë, Grabovci ishte eliminuar nga grupi i Xhavit Halitit, i cili është ngjitur në krye të Degës.

Përpos Grabovit nga Partia janë përjashtuar edhe disa  prej figurave tjera si Zenun Pajaziti, Xhemajl Mustafa, Sokol Bashota, Agim Çeku etj. Madje, Besim Beqaj u shkarkua edhe nga pozita e Ministrit të Inovacionit.

Më së ashpëri ndaj këtij vendimi ka reaguar Sami Lushtaku, i cili nuk e ka pranuar një vendim të tillë të Kadri Veselit. Ka thënë se s’ka birë nane që e largon nga PDK’ja. Madje, ka lëshuar akuza se 4-5 persona të PDK’së kontrollojnë gjithçka në Kosovë përfshirë drejtësinë ndërsa ka kërkuar largimin e tyre.

Adem Grabovci humbi fillimisht pozitën e Shefit të Grupit Parlamentar. Pastaj u shkarkua edhe nga pozita e Nënkryetarit. Nuk e lejuan të kandidonte as për deputet. Tash, e larguan edhe nga Këshilli i Përgjithshëm i PDK’së.

Krejt kjo për shkak se ka një aktakuzë që si zyrtar i PDK’së ka punësuar dhe ka ndikuar në punësimet e njerëzve nëpër institucionet publike. Këto informacione ishin zbuluar në aferën e përgjimeve “Pronto”, në të cilën janë të përfshirë edhe Kadri Veseli e Hashim Thaçi, por që ndaj tyre askush s’ka ngritur asnjë procedurë gjyqësore.

Madje, në përgjime, Adem Grabovci i thotë disa herë Kadri Veselit se “ti i merr vendimet, unë i zbatoj”.

 

COMMENTS