Skandal, për asfaltimin e rrugës 12 kilometërshe Vushtrri –Obiliq duhen 3 vjet

Skandal, për asfaltimin e rrugës 12 kilometërshe Vushtrri –Obiliq duhen 3 vjet

12 kilometra rrugë e paasfaltuar në pjesën që lidh Vushtrrinë me Obiliqin është duke vështirësuar çdo ditë jetën e banorëve të kësaj ane, sidomos në kohën kur vështirësohen kushtet e motit. Në ditët me shi krijohen gropa me ujë, që ngadalësojnë qarkullimin. Edhe pse për këtë pjesë janë ndarë afro 2 milionë euro, përfundimi i rrugës do të bëhet brenda 3 viteve.

Afro 2 milionë euro janë ndarë nga Ministria e Infrastrukturës për të asfaltuar rrugën që lidh Vushtrrinë me Obiliqin nga ku qarkullojnë 21 fshatra të asaj ane. Por, edhe pas shumë vite kërkesa të banorëve, zgjedhja për ta ende nuk është gjetur.

Përderisa punimet nuk kanë shumë muaj që kanë filluar e 600.000 mijë euro për këtë vit janë ndarë, gjendja vetëm se është vështirësuar, sidomos në ditët me shi, kur qarkullimi bëhet gati se i pamundur.

Banorët thanë për T7 që në këtë pjesë ka numër të madh të veturave që qarkullojnë e gjetja e zgjidhjes duhet të bëhet sa më shpejtë.

“Çdo ditë na kalojmë knej, po thojnë që tre vjet nuk kryhet, na tri vjet napër bira, napër ujë, nëpër lloq, tmerr është kjo. Dy orë bojna me shku në qytet, kjo është tmerr, tri kompani janë tu punu, prej pasluftës kështu është ktu, se lidh shumë fshatra”, tha Armend Aliu që kalon nëpër këtë rrugë disa herë në ditë. Të tjerët thonë se kalimi në këtë pjesë është duke ju prishur edhe veturat sepse duhet të vozisin më ngadalë, duke mbetur pa shpresë se dimri do t’i gjejë me rrugë të asfaltuar.

Hasan Rrahmani tha për Frontal se faji për këtë neglizhencë është diku tjetër.

“Prej luftës e knej kemi pas problem me këtë rrugë. Gjithë me rrugë kemi pas problem. Kanë fillu me punu, kanë thanë brenda tri viteve ka me u shtru, ska shancë përpara. I lidh shumë fshatra, krejt veturat kanë probleme, po po thojnë ska buxhet e faji është i qeverisë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, Besim Aliu, duke krahasuar Kosovën me Sirinë thotë se kanë frikë më së shumti për personat e sëmurë sepse sipas tij, nëse kanë raste të tilla ju duhet shumë kohë për t’i dërguar në emergjencë. Shqetësimet e banorëve nuk i pranojnë në qeveri.

Ministria e Infrastrukturës në një prononcim për T7 tha se punët janë duke shkuar sipas planit, mirëpo, të njëjtat janë ndalur për një periudhë vetëm shkaku i motit. Madje, sipas tyre kjo do të ndodhë ashtu siç është paraparë në afatin tre vjeçar.

 

COMMENTS