Si po i fut hundët Vuçiq në FSK duke i larguar serbët

Si po i fut hundët Vuçiq në FSK duke i larguar serbët

Pjesëtarët serbë të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës po kërcënohen nga elita politike e Beogradit, në mënyrë që të largohen nga ky institucion. Politikanët serbët këtë shpesh herë e bëjnë edhe përmes deklaratave publike. Në një bisedë për Gazetën Express zëvendësministri i FSK’së, Burim Ramadani ka treguar ndërhyrjen e Serbisë në të drejtat e serbëve të Kosovës sa i përket pjesëmarrjes së tyre në Forcën e vendit, ndërhyrjen nga Beogradi dhe problemet që ata po ballafaqohen.

Mbi 5 për qind në total janë serbë të Kosovës që janë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe rreth 12 për qind e pjesëtarëve i takojnë komuniteteve jo-shumicë.

Por, me presion nga Beogradi, vështirë do të mbahet edhe ky 5 për qindësh, pasi ushtarët serbë në Kosovë kanë nisur të largohen nga FSK’ja, për shkak se ata po kërcënohen vazhdimisht nga Beogradi.

Së fundi janë detyruar të largohen tetë prej tyre, ndërkohë që javë më parë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK’së ka pasur edhe sulme, janë sulmuar pronat e tyre. E gjithë kjo me arsyetimin që ata nuk duhet t’i bashkohen të “ashtuquajturës ushtri të Kosovës”.

Burim Ramadani, zëvendësministër i Ministrisë së FSK’së, ka thënë se problemet e Serbisë mbeten të njëjta, sikurse dekada me radhë.

“Serbia nuk synon përmirësimin e jetës së serbëve të Kosovës, por i sheh ata si mjet për kusuritje për qëllimet tjera”, ka thënë Ramadani për Gazetën Express.

Liderët serbë që një kohë të gjatë kanë bërë apel tek qytetarët serbë të Kosovës që të mos i bashkëngjiten FSK’së, pasi ata nuk e njohin as Kosovën si shtet, e aq më pak Forcën shtetërore.

Presioni që Serbia bën vazhdimisht, edhe në formë publike, edhe përmes intimidimit direkt, Ramadani thotë se dëshmojnë për një logjikë të njëjtë dhe të pandryshuar të elitës politike të atjeshme.

Por, sa po luan rol Beogradi në largimin e ushtarëve serbë nga FSK’ja?

Zëvendësministri i FSK’së tha se elita politike në Serbi po dëmton serbët e Kosovës.

“Kjo është plotësisht e vërteta e tërë këtyre presioneve dhe kërcënimeve. Duke i marrë në pyetje shumë nga ta, por edhe familjarë të tyre, Serbia po intensifikon presionin dhe kërcënimet”, tha Ramadani për Express.

Ramadani tha se kërkesa për lirim nga detyra është e natyrshme nëse vjen si rezultat i vlerësimit personal.

“…por, kur është për shkak të presioneve të Serbisë atëherë kemi të bëjmë me ndërhyrje direkte nga jashtë”, tha zëvendësministri i FSK’së.

Ai tha kjo çështje ka të bëjë me një situatë reale të ndërhyrjes së Serbisë. Megjithatë, u shpreh i sigurt se këto presione dhe kërcënime nuk do ta dekurajojnë Kosovën për të vazhduar përkushtimin e vet.

Zëvendësministri tha se është fatkeqësi që Serbia shkel të drejtat e njeriut, liritë themelore, prosperitetin, mirëqenien ekonomike, si dhe karrierën personale të serbëve të Kosovës./GE

 

COMMENTS