Si erdhi deri tek rrahja me karrige në nëndegën ‘Maxhunaj’ të LDK-së në Vushtrri?

Si erdhi deri tek rrahja me karrige në nëndegën ‘Maxhunaj’ të LDK-së në Vushtrri?

Një rrahje tjetër në procesin zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka ndodhur edhe në nëndegën ‘Maxhunaj’ në Vushtrri.

Më herët është publikuar një video ku shihet se në këtë rrahje veç grushteve janë ‘aktivizuar’ edhe karriget, shkruan lajmi.net.

Burime të portalit brenda LDK-së në Vushtrri bëjnë të ditur se incidentin e kanë nisur njerëz të Xhafer Tahirit, kryetarit të tanishëm të LDK-së në Vushtrri.

“Siç edhe shihet në video, aty është edhe një femër, pra i gjithë incidenti ka nisur nga ajo femra, babai i saj dhe vëllai i saj, ata janë përla edhe mes vete më duket”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë, lajmi.net ka kontaktuar edhe me Agron Përqukun asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Vushtrrisë i cili ishte duke monitoruar procesin zgjedhor në këtë nëndegë.

“Unë kam qenë monitorues në atë nëndegë nga kryesia e LDK-së, unë krejtësisht vonë e kam parë se janë duke u rrahur, ata kanë qenë duke diskutuar dhe kam menduar se është veç verbale, pasi jam çu në këmbë e kam parë se janë duke u rrahur dhe jam tërhequr me hapa mbrapa”, tha Përquku për lajmi.net.

Ai tha se nuk ka qenë pjesë e rrahjes, siç shihet edhe në video, por sipas tij, kandidatët e mbështetur nga pushteti lokal i LDK-së në Vushtrri po tentojnë ta njollosin, sipas tij ndoshta edhe për shkak se ka fituar në nëndegën Dardania 1.

“Nuk është e vërtetë se kam qenë pjesë e rrahjes, por dikush nga personat të cilët e kanë nxitur atë rrahje, si persona zyrtarë në komunë, apo persona që kanë qenë prej nëndegës e kanë humbur e kanë bërë këtë, ose si pjesë e kësaj ka qenë edhe fitorja ime një orë më herët me 64 vota kundër kandidatit të mbështetur nga pushteti lokal me 4 vota në nëndegën Dardania 1”, tha Përquku.

Përquku ka treguar gjithashtu se aty ka qenë së bashku me Rrezarta Krasniqin dhe se dikush nga qeverisja lokale po mundohet ta njollosë.

“Në nëndegën Maxhunaj kam qenë së bashku me Rrezarta Krasniqin. Aty kam qenë vetëm për proces-verbal. Mua po mundohen të më njollosin. Dikush nga qeverisja lokale, njerëzit të cilët kanë diçka kundër meje, po mundohen të më njollosin”, tha Përquku për lajmi.net.

Rrahje të tilla në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka pasur edhe më herët në qytete të ndryshme si Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Viti e të tjera të cilat kanë bërë bujë të madhe.

Për rrahje të tilla dje e ka pranuar edhe nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pas shumë mohimeve të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës se këto raste po ndodhin nga njerëz të partive të tjera.

Haziri ka thënë se në LDK nuk do të kenë vend njerëz të cilët lëvizin karrige e tregojnë muskujt për bashkëpartiakët.

Ndërkohë, ende nuk është bërë publik asnjë kandidat për garën për të fituar udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

 

COMMENTS