Shpend Maxhuni largohet me medalje, shpërthejnë reagimet për dekorimin e kryespiunit

Shpend Maxhuni largohet me medalje, shpërthejnë reagimet për dekorimin e kryespiunit

Ish-Drejtori i Policisë së Kosovës, dhe ish-shefi i AKI’së, Shpend Maxhuni,  ka vendosur të mos presë ardhjen e koalicionit VV-LDK në qeveri. Ai sot dha dorëheqje të befasishme nga pozita që mbante në krye të Inteligjencës kosovare.

Maxhuni është personi, i cili ka udhëhequr institucionet kyçe të sigurisë. Mirëpo gjatë udhëheqjes së tij këto institucione janë përballur me skandale të shumta.

Megjithatë kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, e pranoi dorëheqjen e Maxhunit, ndërsa ia dhuroi “medalen e Skëndërbeut”.

Për këtë vendim të Haradinaj ka pasur reagime të shumta.

Kandidati për deputet nga radhët e VV’së, Mefail Bajqinovci, ka kërkuar që pas dorëheqjes së tij të ketë edhe dorëheqje të tjera.

“Mirë është mos me prit muajin dhjetor kur fillon dimri edhe shumë tjerë…”, tha ai duke aluduar në dorëheqje të tjera.

Ndërkohë Albulena Haxhiu nuk arriti të kuptoj se pse Maxhuni është dekoruar nga kryeministri në largim.

“Medalja e Skënderbeut?? Pas dorëheqjes, nga kryeministri që është edhe i dorëhequr edhe i humbi zgjedhjet??!!”, ka shkruar Haxhiu në faqen e saj në Facebok për këtë vendim të kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj.

Ndërkohë për këtë ka reaguar edhe Arbër Zaimi nga VV duke akuzuar Haradinajn se po shfrytëzon kohën e fundit në pushtet për të bërë emërime dhe vendime me të cilat duhet të përballet qeverisja e ardhshme.

“Por dhënia e dekoratave, emërimi i ambasadorëve, vendosja e drejtorëve nëpër borde, ndarja e pozitave, konkurseve e tenderëve gjatë ditëve të fundit, pasi i ke humbur zgjedhjet, këto janë gjeste pa dinjitet”

Themeluesi i Partisë Euroatlantike, Milam Zeka, ka thënë se ky është gabimi i dytë i madh i Ramush Haradinaj.

“Dekorimi i Maxhunit është gabimi i dytë i Ramush Haradinajt. Gabimi i parë ka qenë shpallja qytetar nderi i Sali Berishës në Deçan”, ka thënë Zeka në RTK.

Tutje ai ka thënë se sipas informatave që ka, Maxhuni do të dërgohet ambasador në Turqi.

Reagime ka pasur edhe nga analistët politikë.

“Vetem qeveria PAN i jep medalje personit qe ka shkelur Kushtetuten dhe ligjin ne sherbim te partise-shtet. Ne vend te vleresimit ai duhet te hetohet. Turp!”, shkroi analisti Blerim Vela.

Ndryshe, Shpend Maxhuni përveç shumë skandaleve brenda policisë, akuzohet edhe për deportimin e gjashtë shtetsve turq nga Kosova në Turqi pas pasur asnjë urdhër për të bërë një gjë të tillë.

Një gjykatë në Turqi ka vendosur për dënimin me burg për dy nga gjashtë këta persona që ishin dëbuar dhunshëm nga Kosova.

Trupi gjykues i liroi të pandehurit Karakaya dhe Özkan nga akuza “spiunazh ndërkombëtar”, por shpalli dënim me nga shtatë vite e gjashtë muaj për akuzën “pjesëmarrje në organizatë të armatosur terroriste” për të profesorët.

 

COMMENTS