Shkruan Berat Buzhala: Si t’i themi Amerikës JO, pa i lënduar raportet?

Shkruan Berat Buzhala: Si t’i themi Amerikës JO, pa i lënduar raportet?

Shkruan: Berat Buzhala

Shtëpia e Bardhë nuk është më aq e bardhë. Serbia po kërkon zgjidhje kreative për Kosovën. Administrata e Donald Trumpit duket e gatshme për aventura të tilla. Cila është zgjidhja më e mirë?

Që prej kur Shtëpia e Bardhë u pushtua nga njeriu i portokalltë, me kabilje, për miqtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kudo në botë, katër vite kurrë nuk kanë qenë më të gjata.

Presidenti Trump, si një bombë e kurdisur, është në gjendje që ta befasojë secilin shtet mik, në çdo orë të ditës dhe të natës, me vetëm një postim në Twitter.

Në përmasa mikroskopike, ai një gjë të tillë mund t’ia bëjë edhe Kosovës, e cila ndodhet në një udhëkryq historik, duke marrë parasysh që është rritur trysnia nga të gjitha anët që të arrihet një marrëveshje finale! me Serbinë. Vetë epiteti Marrëveshje Finale është i frikshëm. Po flasim për diçka përfundimtare, të pakthyeshme.

Në këto 30 vjet ne kemi arritur suksese të mëdha në të gjitha rrafshet, vetëm për shkak të faktit që në anën tonë, me të drejtë, kanë qëndruar fuqitë perëndimore, vazhdimisht të udhëhequr nga SHBA’ja. Aktualisht, Shtëpia e Bardhë për ne nuk është më aq e bardhë.

Mirëpo, përpara se të nxitohemi që të bindemi ose të mos bindemi, ia vlen të shohim se çfarë po bëjnë të tjerët me Donald Trumpin? Si po reagojnë fuqitë e mëdha, aleate të SHBA’së, kur përballen me uraganin Trump.

Kështu për shembull, dy javë më parë, e gjithë Britania e Madhe ishte në trans kur po përgatitej për ta pritur për vizitë Donald Trumpin. E dinin që ai për të mirë nuk po shkonte atje. Prandaj, askush nuk e shtronte pyetjen nëse kjo vizitë do të kalonte pa incidente. Dilema ishte vetëm se të çfarë magnitude do të ishin ato. Kjo vizitë bëhej edhe më e frikshme kur shihej se çfarë po bënte Trump në Bruksel, pak përpara se të zbarkonte në ishull. Ai po sillej nëpër kryeqytetin evropian sikur një i dehur në orët e para të mëngjesit. I gatshëm për bela me secilin kalimtar të rastit. Këndo që e takonte e ofendonte. Pastaj e ofendonte edhe Evropën si tërësi. Pastaj edhe NATO’n. Kishte fjalë të mira vetëm për Vladimir Putinin, që do ta takonte pasi ta kishte kthyer Evropën me kokë përmbys.

Shtete me nga 60, 70, 90 milionë banorë, si Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, shtete që kanë fuqi të jashtëzakonshme ekonomike dhe ushtarake, ishin të përgatitura për ta gëlltitur ofendimin që po i bënte atyre Trump, vetëm e vetëm që të mos i cenonin raportet e shkëlqyeshme 70-vjeçare që këta shtete kanë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Trump kërkonte më shumë pare për NATO’n. Dhe këtë nuk po e bënte dosido. Ai jepte urdhra. Evropa, posaçërisht Gjermania, kujdeset që ta ruajë dinjitetin e shtetit të vet, duke mos u nënshtruar në ultimatum, por edhe duke mos i thënë JO.

“Po punojmë në këtë drejtim”, ishte përgjigja gjermane, por edhe e të tjerëve. Heiko Maas, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, deklaroi në Japoni se “Amerika është më e madhe se sa Shtëpia e Bardhë. Ai mund të shkruajë postime në Twitter sa të dojë. Për mua, SHBA nuk është një kundërshtar, është aleati kryesor i yni jashtë Bashkimit Evropian”.

Pak a shumë kjo ishte edhe fryma e reagimeve në Mbretërinë e Bashkuar, kur Trump i shokoi ata me një intervistë për gazetën The Sun. Në këtë intervistë, Trump e kishte goditur kryeministren Theresa May, me të cilën do të takohej të nesërmen. Disa pjesë të kësaj interviste, Trump i mohoi pas 24 orëve, mirëpo dëmi ishte bërë.

Trump, gjithashtu, vetëm sa nuk e përplasi për livadhi mbretëreshën Elizabeth, kur dolën për të bërë një paradë. Herë i dilte përpara, e herë i shkonte përmbrapa asaj, në kundërshtim me çdo rregull monarkike. Mirëpo as Pallati Mbretëror, e as Qeveria britanike, nuk e çelën gojën. Morën frymë të relaksuar kur Air Force One u ngjit në ajër nga një aeroport në Londër.

Përpara se të ndodhnin këto incidente, Trump në një takim të 7 vendeve më të industrializuara të botës, e kishte terrorizuar edhe fqinjin verior, Kanadanë, duke i vendosur barriera doganore importeve të hekurit dhe aluminit, dhe përveç kësaj ishte lëshuar në një tiradë postimesh kundër kryeministrit Justin Trudeau. Ky i fundit i kishte kthyer disa goditje të lehta, që më shumë ishin ledhatime.

“Nëse edhe me kanadezët ke probleme, atëherë ti nuk je njeri”, thuhej në rrjete sociale pas eksplodimit të Presidentit amerikan.

Kokëdhembje të mëdha përgjatë këtij një viti e gjysmë në pushtet Donald Trump i ka shkaktuar edhe aleatëve të tjerë kudo në botë, si bie fjala Japonisë me tarifa shtesë për importin e mallrave të tyre, ose edhe Koresë Jugore kur e mbante në terr të plotë gjatë bisedave me diktatorin e Koresë Veriore, Kim Jong Un. Përveç këtyre, Trump kishte deklaruar shumë herë që Koreja Jugore dhe Japonia, dy aleat të fuqishëm të Amerikës në atë pjesë të botës, do të duhej të paguajnë Amerikën për sigurinë që ajo u ofron atyre.

Këto janë vetëm një përqindje e vogël e incidenteve që Trump i ka shkaktuar gjatë këtyre muajve në pushtet. Të paktë janë miqtë e Amerikës, shtetet mike, udhëheqësit e shteteve mike, që nuk po i numërojnë me nervozë ditët që i kanë mbetur Trumpit në Shtëpi të Bardhë. Sigurisht që nisen nga premisa se edhe katër vitet më të errëta zgjasin vetëm katër vjet.

E tash, të kthehemi në realitetin tonë, që gjithashtu duket që do të përballemi me rrezikun e menaxhimit të raporteve tona me partnerin tonë kryesor politik në botë.

Është hera e parë – ndoshta në 100 vjet – që Serbia qëndron më mirë se sa ne në Shtëpi të Bardhë. Pra, vetëm në Shtëpi të Bardhë dhe askund tjetër. Mirëpo nuk është pak. Tash aty kanë përparësi Vucic dhe Dacic, më shumë se sa liderët shqiptarë. Që nga ikja prej aty e McMaster dhe ardhja në detyrën e Këshilltarit për Siguri Kombëtare të John Bolton, Shtëpia e Bardhë ka mbetur pa memorie historike për Ballkanin. Për më keq, kjo pozite që është tepër e rëndësishme, po banohet nga Bolton, njëri nga politikanët e rrallë në Amerikë që hapur e kishte kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, duke thënë që ajo do të jetë një cerdhe e ekstremizmit islamik. Kur ai ishte emëruar, Ivica Dacic kishte thënë “që po bëhen ndryshime pozitive në Amerikë”. Tash së fundmi Bolton e priti Dacicin, por jo edhe Pacollin.

Fatkeqësisht, i gjithë ky ndryshim po ndodh në kohën më të keqe për Kosovën, atëherë kur pritej që të finalizohej një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Pas kthimit nga Uashingtoni, Dacici deklaroi me triumfalizëm se tash “politika amerikane nuk është më në autopilot”, duke thënë se administrata e Trump është e gatshme të bisedojë për çdo zgjidhje të çështjes së Kosovës. Pyetja që duhet të shtrohet është kjo: cilën cështje të Kosovës? A nuk është mbyllur çështja e Kosovës? A do ta hapim prapë atë?

I vetmi politikan në Kosovë që duket se është i gatshëm ta hapë edhe njëherë çështjen e Kosovës është Presidenti Hashim Thaçi, duke paralajmëruar kompromise të dhimbshme. Sipas të gjitha gjasave Thaçi këtë nuk po e bën nga naiviteti, por me vetëdije të plotë. Duke e hapur çështjen e Kosovës, Thaçi po provon ta mbyllë çështjen e tij – Tribunalin Special. Është lehtë e parashikueshme që Thaçi, kur kjo të ndodhë, kur do të fillojë të flitet për ndarje të Kosovës, do të fshihet prapa Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kurse të gjithë të tjerët që do të provojnë ta kundërshtojnë atë, ai do t’i cilësojë si antiamerikan.

Mirëpo, siç ka thënë edhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Amerika është më e madhe se Shtëpia e Bardhë. Kjo është e vërtetë posaçërisht gjatë këtyre dy viteve të ardhshme. Kjo duhet të jetë e vërtetë edhe për ne, edhe për politikanët e Kosovës. Të gjithë ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për ta kuptuar pozitën e rëndë në të cilën ndodhemi, e në të cilën ka mundësi të ndodhemi në dy vitet e ardhshme.

Kosova është shumë e vogël. Ne nuk jemi Gjermani e as Franca, e edhe këto të dyja nuk po përballën direkt me Presidentin Trump. Pra, më fjalë të tjera t’i thuhet JO direkte Shtëpisë së Bardhë nuk është opsion. Rruga e vetme për të shpëtuar, për të blerë kohë, është që të thuhet një PO negative. Një PO që nuk ka efekt të atypëratyshëm. Kosova duhet t’i thotë PO dialogut, duhet t’i thotë PO edhe marrëveshjes finale me Serbinë, mirëpo paraprakisht duhet të analizohet cdo marrëveshje që është arritur deri më tash me Serbinë në Bruksel. Marrëveshjet e arritura duhet të analizohen, e posaçërisht implementimi i tyre. Duhet të formohen komisione dhe nën komisione, për të arritur efektin ashtuquajtur “filibuster”, të cilin e përdorin deputetët anekënd botës për të blerë kohë. Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme, ose të jashtëzakonshme, për në pranverën e vitit të ardhshëm, ose edhe në verën e vitit të ardhshëm, gjithashtu do të ishte një opsion më tepër.

Kushdo që llogaritë në racionalitet të administratës së Donald Trump për të mbyllur problemin e Kosovës është injorant. Trump, dhe rrethi i tij, problemin e Kosovë as nuk e njohin e as nuk e kuptojnë. I vetmi që e kupton dhe e njeh këtë problem është John Bolton – për fatin tonë të keq. E çfarë është edhe më keq për ne, administrata e Trump, duke dashur që të përmbysë rendin e kaluar botëror, është duke e shqelmuar secilën marrëveshje të arritur më parë nga presidentët e kaluar. Edhe Kosova mund të jetë njëra prej fushave ku Trump do të mund të vinte me ndonjë ide kreative.

Kurse marrëveshje finale me Serbinë duhet të jetë çdo gjë tjetër, përveç kreative. Kreativiteti është përdorur në vitin 1999 në Rambuje. Është përdorur në vitin 2006 dhe 2007 në Vjenë. Ajo çfarë për ne në atë kohë ka qenë kreative, për Serbinë nuk ka qenë. Ajo çfarë tash mund të jetë për Serbinë kreative, për Kosovën është shkatërruese.

COMMENTS