Shitja e veturave të reja në Britani ra për 97 për qind

Shitja e veturave të reja në Britani ra për 97 për qind

Shitja e veturave të reja në Britaninë e Madhe shënoi rënie prej 97 për qind gjatë prillit. Ky ishte niveli më i ulët i shitjeve që nga shkurti i vitit 1946. Shifra e tmerrshme erdhi si pasojë e mbylljes së fabrikave dhe dyqaneve të veturave shkaku i pandemisë.

Bllokimi i shitjes së veturave të reja e shton edhe më shumë trysninë ndaj ekonomisë britanike, e cila është në rrugë për t’u tkurrur për 7 për qind gjatë çerekut të dytë të vitit shkaku i rënies së aktivitetit ekonomik.

Masat kufizuese kanë qenë në fuqi në mbarë Evropën që nga mesi i marsit, duke ndikuar në mbylljen e kompanive dhe kufizimin e lëvizjes së njerëzve. Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet që gjatë kësaj jave të japë hollësi për lehtësimin e masave, që pritet të bëhet me ritëm të ngadalshëm.

Në janar, ishte parashikuar se në Britani do të shiteshin 2.25 milionë vetura të reja gjatë tërë vitit, por tash ky parashikim është zbritur në 1.68 milion, pasi gjatë prillit u shitën vetëm 4,321 vetura të reja.

Industria e veturave është eksportuesja më e madhe e mallrave britanike. Ajo përballet me një humbje prej 8 miliardë funteve shkaku i pandemisë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

 

COMMENTS

COVID-19 Statistika

Këtu i keni informatat e fundit lidhur me pandeminë COVID-19