ShBA-ja dhe Arabia Saudite pakësojnë ndihmat për Jemenin, fëmijët po vdesin

ShBA-ja dhe Arabia Saudite pakësojnë ndihmat për Jemenin, fëmijët po vdesin

Mjekët dhe infermierët në repartin e kequshqyerjes të spitalit Abs janë të mësuar me vështirësitë. Megjithatë, gjërat kurrë nuk kanë qenë kaq keq.

Në muajt e fundit, rryma është ndalur përditë dhe çmimi i ngritur i karburantit nënkupton që ata nuk mund t’i mbajnë gjithmonë gjeneratorët ndezur. Kur kjo ndodh, ekranet dhe ventilatorët ndalen. Fëmijët që do të mund të shpëtoheshin vdesin.

“Ata që nuk vriten nga sulmet ajrore apo lufta? Ata do të vdesin nga mungesa e pajisjeve mjekësore”, tha Dr. Ali Al Ashwal për televizionin CNN, transmeton Gazeta Express.

Në mars, administrata e presidentit Trump dhe aleatët kyç në rajon, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, i pakësuan fondet që ia dhuronin Kombeve të Bashkuara për Jemenin. Ky pakësim fondesh nënkupton më pak shërbime shëndetësore për civilët, madje disa qendra janë detyruar të mbyllen.

Pakësimi i fondeve ka ndikuar edhe në pakësimin e ndihmave ushqimore për njerëzit e rrezikuar nga uria.

Kjo gjendje pasqyrohet edhe në spitalin Abs. Në pjesën e parë të vitit, aty u pranuan 700 pacientë me probleme të shkaktuara nga kequshqyerja. Në gusht, numri i pacientëve ishte dyfish më i lartë se mesatarja e zakonshme mujore.

“Pjesa më e vështirë është kur humbim një fëmijë, kur ka mundur të ketë gjasa për mbijetesë, nëse gjendja do të ishte ndryshe”, tha Dr. Al Ashwal.

Në vitin 2019, Shtetet e Bashkuara dhuruan gati një miliard dollarë për Jemenin përmes Kombeve të Bashkuara, por këtë vit shuma është pakësuar në 411 milionë dollarë.

 

COMMENTS