Së paku 18 të vrarë nga sulmet ajrore në Siri

Së paku 18 të vrarë nga sulmet ajrore në Siri

Të paktën 18 militantë janë vrarë nga sulmet ajrore që kishin cak forcat e përkrahura nga Irani dhe grupet aleate të tyre. Lajmin e bëri të ditur një grup monitorues i luftës.

Monitoruesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani njoftoi të hënën se sulmet ajrore nga aeroplanë të paidentifikuar ndodhën në rajonin Al-Bukamal, afër kufirit me Irakun.

Kjo organizatë tha se cak i sulmeve ishin pikat e kontrollit, automjetet ushtarake dhe depot ushtarake, me ç’rast janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Monitoruesi tha se numri i viktimave nga këto sulme ajrore mund të rritet.

Izraeli e cilëson Iranin si kërcënimin më të madh dhe javëve të fundit i ka sulmuar caqet e lidhura me këtë shtet në Siri, Irak dhe Liban.

Irani dhe Rusia i kanë dhënë mbështetje të madhe presidentit sirian, Bashar al-Assad gjatë luftës civile në Siri.

Lufta kishte filluar me shtypjen e protestave nga forcat qeveritare në mars të vitit 2011, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

 

COMMENTS