Sa është Kosova e gatshme të përballet me rastet e fatkeqësive natyrore?

Sa është Kosova e gatshme të përballet me rastet e fatkeqësive natyrore?

Tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë bilanci i të cilit shkoi në mbi 20 viktima dhe qindra të plagosur, në Kosovë, përveç solidarizimit me popullatën e atjeshme, ka ngritur edhe shumë pikëpyetje.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje që të gjitha shtabet e emergjencës të testojnë pajisjet e tyre dhe të jenë të gatshme në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore edhe në Kosovë.

Kosova, sipas Institutit të Sizmologjisë, shtrihet në një zonë tektonike, ku lëkundjet e tokës mund të jenë të shpeshta dhe të fuqishme.

Shemsi Mustafa, nga Rrjeti Sizmologjik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk mund të përjashtohet si mundësi që Kosova në të ardhmen të përballet me tërmete të fuqishme deri në 6 shkallë të Riterit. Kjo duke u bazuar, siç thotë ai, në katalogun sizmik e që Kosova është përballur në të kaluarën me tërmete.

Sipas tij, zonat më të rrezikuara nga tërmetet në Kosovë janë Istogu, Vitia, Ferizaj dhe Gjilani. Këto zona, ka nënvizuar ai, janë prekur edhe në të kaluarën nga goditjet tektonike deri në 6 shkallë të Riterit. Por, si zona të ndjeshme nuk përjashtohet të jenë as qyteti i Pejës dhe Prizreni.

“Tërmeti është një fenomen natyror që godet pa paralajmërim. Duke u bazuar në rrjetin sizmologjik dhe hartën e rrezikut sizmik, në Kosovë sipas kësaj harte mund të ndodhin tërmete të mëdha ose siç i quajmë ne tërmete të forta. Nëse janë të përgatitura mirë drejtoritë e urbanizimit dhe komunat në ndërtimin e objekteve, nuk do të ketë rrezik për qytetarët e Kosovës”, thekson Mustafa.

Institucionet e Republikës së Kosovës kanë miratuar Ligjin për fatkeqësitë natyrore dhe kanë hartuar dokumentet bazë, siç është Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Emergjencave dhe Plani i Reagimit Kombëtar.

Ramush Haradinaj, kryeministër në detyrë, ka thënë se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për tu përballur me katastrofa natyrore qofshin ato tërmete, zjarre, epidemi apo vërshime.

Por, ai ka përmendur si shqetësim objektet e banimit që janë ndërtuar pas luftës së fundit në Kosovë, kur nuk kishte as kontroll institucional e as ndonjë plan urbanistik.

“Rasti i tërmeteve e trondit çdo shoqëri, por duhet pasur parasysh që në Kosovë kanë ndodhur ndërtime të pasluftës, pra gjatë 10 vjetëve të para kur nuk ka pasur kontrollë të duhur e të mjaftueshme dhe ato na shqetësojnë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas kryeministrit në largim, Kosova ka 20 organizata dhe institucione, përfshirë edhe ushtrinë, policinë e specializuar, agjencitë e organizatat e specializuara që mund të aktivizohen në raste të katastrofave natyrore.

Fadil Kodra nga Qendra për Menaxhimin e Emergjencave, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha se Kosova është e gatshme të përballet me çfarëdo lloj fatkeqësie.

“Gatishmëri kemi, por tërmeti është i papritshëm për çdo shtet. Dhe sado që të jesh i gatshëm, ai të zë papritur. Por, ne si Kosovë jemi në gatishmëri të plotë dhe ekzistojnë ekipet për t’u dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë. Ekipet e kërkim shpëtimit për tërmete ekzistojnë, dhe secila fatkeqësi i ka ekipet e veta, qofshin ato vërshime, tërmete, zjarre etj”, tha Kodra.

Ndryshe që nga viti 2004, Kosova ka Ligjin për ndërtim, me të cilin përcaktohen rregullat e ndërtimit të të gjitha objekteve ndërtimore në Kosovë dhe në bazë të tij një objekt ndërtimi duhet t’i plotësojë kriteret minimale për mbrojtjen e shëndetit publik, sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme.

 

COMMENTS