Res iudicata dhe parimi i sigurisë juridike

Res iudicata dhe parimi i sigurisë juridike

Nga: Dervish Alimi

Mosnjohja e ligjit nuk është justifikim as për njerëzit e thjeshtë, dhe jo për institucione me autorizime publike apo të atyre të pushtetit të katërt gjegjësisht të mjeteve te komunikimit.

Gazetaria e paguar e regjimit të kaluar e tipit të pagesës se reklamave publike ishte kryevepra e regjimit antidemokratik dhe dështimi i demokracisë, për vetë faktin që mercenarizmi mediatik u dëshmua të ishte mohim i vetvetes dhe degradim i misionit të gazetarisë së pavarur dhe investigative në përgjithësi, e cila në vendet demokratike përfytyrohet si dritare e zërit të njeriut të thjeshtë dhe si antipod i pushtetit, prandaj edhe ata jorastësisht konsiderohen pushteti i katërt.

Por kur pushteti i katërt për arsyet e veta komerciale vihet në shërbim të pushtetit të parë (ekzekutiv), i cili tashmë i ka gllabëruar dy pushtetet tjera (ligjvënës dhe gjyqësor), kjo i bie që të vihet në shërbim te regjimit diktatorial apo autokratik. Këtë film e kemi parë më herët dhe si fenomen duhej zhdukur dhe jo ringjallur nga garnitura e re politike, sepse atëherë, me plot të drejtë mund ta pyesim veten, ç’na duhej ndryshimi, kur kanë ndryshuar vetëm aktorët që praktikojnë mjete dhe metoda të njëjta të blerjes së mediave, si regjimi i mëparshëm.

Që ironia të jetë më e madhe, misionarët e opinionit publik për të dëshmuar besueshmërinë dhe seriozitetin e punës së tyre profesionale e kanë per obligim ligjor, që për sigurinë e tyre juridike, të dëshmojnë, në rast nevoje, se kanë burime të verifikuara të informatave. Përndryshe i nënshtrohen sankcioneve ligjore që parashikohen me ligjin për shpifje, cënim të integritetit dhe autoritetit personal të personave të përmendur, dhe të ngjashme. Njohja e ligjeve në fuqi është parakusht që, dikush t’i rreket punës gazetareske dhe jo të bazohet në thashethemet e kafeneve, të individëve me interesa te caktuara grupore dhe partiake, sepse ata në fund, me plot të drejtë do të idenfitikohen si zëdhënës të tyre, dhe jo se media të pavarura.

Parimi i përgjithshëm i “çështjes së gjykuar” (res iudicata) është parimi themelor i sigurisë juridike, dhe mediat duhet ta dijnë se për një çështje tashmë të gjykuar, nuk mund të ketë dy vendime të ndryshme nga organet e drejtësisë.

Vetë gjyqësia e ka për obligim ta merr parasysh parimin e precedentit gjyqësor, në kuptimin se nëse për një çështje, një organ gjyqësor ka marrë vendim të formës së prerë, pra të plotfuqishëm, ky rast nuk mund të rigjykohet nga një organ tjetër gjyqësor, sepse në këtë mënyrë cënohet liria individuale e njeriut, dhe e drejta e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Në këtë mënyrë efekti i drejtësisë do të ishte nul dhe siguria juridike do ta kishte humbur kuptimin e vet, aq më tepër kur kjo ka të bëjë për grupe të caktuara politike që, për nga definicioni i ekzistencës së tyre, e kanë për synim përfaqësimin dhe zbatimin e autorizimeve të qytetarëve, nëpërmjet te marrjes se mandatit politik./Gazeta Lajm

 

COMMENTS