Republika e Kosovës tregon autoritetin, ndalon ndeshjen serbe Trepça – Crvena Zvezda

Republika e Kosovës tregon autoritetin, ndalon ndeshjen serbe Trepça – Crvena Zvezda

Policia e Kosovës e ka treguar autoritetin e Republikës së Kosovës karshi Serbisë edhe sot në pikën kufitare në Jarinë. Policia e shtetit e ka kthyer mbrapa gjigantin serb, Crvena Zvezdën, bashkë me disa dhjetëra tifozë serbë, që ishin nisur në drejtim të Veriut të Kosovës për ta zhvilluar ndeshjen e Kupës së Serbisë me Trepçën e Mitrovicës Veriore. Tifozët serbë provokuan Kosovën duke kënduar këngë nacionaliste. Ndërsa, Marko Gjuriç – i zhgënjyer me ndalesën që ia bëri Policia e Kosovës klubit serb – tha se UEFA e FIFA duhet ta përjashtojnë “fluturim” Kosovën.

Republika e Kosovës e ka treguar edhe njëherë autoritetin e saj shtetëror karshi Serbisë.

Policia e Kosovës sot nuk e ka lejuar gjigantin e futbollit serb, Crvena Zvezdën, të hyjë në Kosovë.

Klubi i madh nga Beogradi ishte nisur drejt Kosovës për t’u takuar me klubin e serbëve nga Mitrovica Veriore, Trepça, me pretendimin se FIFA e ka lejuar Federatën Serbe ta organizojë garën e Kupës serbe edhe në Kosovë.

Trepça nuk e njeh Federatën e Futbollit të Kosovës dhe vazhdon të marrë pjesë në garat e organizuara nga Federata e Futbollit e Serbisë.

Ndeshja e vlefshme për Kupën e Serbisë në mes Trepçës dhe Crvena Zvezdës ishte planifikuar të zhvillohej në Mitrovicën Veriore të mërkurën prej orës 15:00.

Klubi i serbëve të Kosovës kishte kërkuar edhe leje nga Policia e Kosovës që t’ia mundësojë Crvena Zvezdës hyrjen në veri të vendit.

Mirëpo, Policia e shtetit e ka respektuar kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për ta parandaluar zhvillimin e kësaj ndeshje në Kosovë.

Kjo për shkak se shtëpia e futbollit kosovar konsideron se sipas rregullave të UEFA-s dhe FIFA-s, të cilat e kanë pranuar Kosovën si anëtare të saj, asnjë federatë nuk lejohet të organizojë gara në territorin e një federate të një shteti tjetër.

Po ashtu, insistimi i serbëve për ta zhvilluar këtë ndeshje në Kosovës nënkuptonte përpjekje të tyre për ta mohuar pavarësinë e Kosovës.

Policia e Kosovës në pikën kufitare në Jarinë – përpos Crvena Zvezdës – prapa i ka kthyer edhe disa dhjetëra tifozë serbë, të cilët tentuan të hyjnë në Kosovë, madje duke kënduar këngë nacionaliste dhe provokuese për Kosovën.

Në këtë pikë kufitare në mes Kosovës e Serbisë, ku kishte dalë Policia e Kosovës për ta ndalur Crvena Zvezdën, i pranishëm ishte edhe Goran Rakiç, kryetari i partisë së Listës Serbe, e cila i mori rreth 52 mijë vota nga serbët e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit të mbajtura në Republikën e Kosovës.

Rakiç shoqërohej nga drejtues të klubit serb, Trepçës, që mbeten të zhgënjyer me ndalim që ia bëri Policia e Kosovës klubit të madh nga Serbia.

Në anën tjetër, Federata e Futbollit e Kosovës përgëzoi dhe falënderoi Policinë e Kosovës për punën e kryer në interes të shtetit.

Mediat serbe njoftuan se ndeshja e Kupës së Serbisë do të zhvillohet të enjten në qytetin serb, Stara Pazova. /GazetaExpress

 

COMMENTS