Pse nuk i bojkotojmë sivjet zgjedhjet për hir të konsekuencës dhe konzistencës politike ndaj kandidatit koncensual?!

Pse nuk i bojkotojmë sivjet zgjedhjet për hir të konsekuencës dhe konzistencës politike ndaj kandidatit koncensual?!

Nga: Dervish Alimi

Debati dhe ideja rreth nevojës së gjetjes së kandidatit koncensual në Maqedoni, i hapur 5 vite më parë gjoja me qëllim të mirë dhe fisnik nga pala shqiptare, ishte vetëm një pretekst i rradhës për vrasjen e monotonisë politike, që synonte gjetjen e arsysetimit por moskryerjen dhe ngecjen e punëve të tjera shumë më të rëndësishme në Maqedoni.

Në këtë drejtim qëllimisht harrohej fakti se beteja për një kandidat presidencial për të cilin do të pyeteshin shqiptarët përfundoi atëherë kur u ul cenzusi i votuesve për zgjedhjen e presidentit.

Ky shërbim që iu bë palës maqedonase tashmë i ka vetëpërjashtuar shqiptarët nga ndikimi i tyre i vërtëtë në këtë drejtim, por e ka përjashtuar edhe legjitimitetin politik të kandidatit që nuk do të arrijë të merr më shumë se 50% të popullësisë së regjistruar në listat e votimit.

Një kandidat që e ka patjetër të merr vetëm 40% të votuesve të regjistruar nuk e ka të drejtën legjitime dhe ligjore të flasë në emrin e shumicës, sepse votuesit e pjesës së mbetur prej 60% do ta kenë thënë fjalën dhe porosinë e tyre të mospëlqimit me mosdaljen e tyre ne zgjedhje (=si në referendumin rreth emrit!) dhe kësisoj do ta kenë vulosur përzgjedhjen e rrejshme dhe fiktive të kanditatit, edhe ashtu të zhveshur nga pushteti politik i përfaqësimit të shumicës, siç ndodh në çdo vend tjetër me demokraci normale dhe të mirëfilltë politike.

Pra, kandidati e përzgjedhur me votat e pakicës, me qëllim të shmangies së ndërhyrjes dhe bërjes së pazarit me ¼ e popullësisë me përkatësi etnike shqiptare, është/ishte i predestinuar të deshtojë në kryerjen e detyrave dhe obligimeve të tij kushtetuese, edhe ashtu te pakta gjegjësisht formalo-juridike apo protokolare.

Për ta legalizuar këtë mashtrim politik të rradhës, nuk ngurrohet harxhimi i mjeteve të konsiderueshme financiare për mbajtjen e tyre, edhepse përfundimi është një president i zgjedhur por pa pushtet dhe legjitimitet, në raundin e dytë, me votat e pamjaftueshme vetëm të popullatës maqedonase, gjegjësisht me shumicën e atyre që kanë dalur në zgjedhje, por jo të atyre që e kanë të drejtën e zgjedhjes, të cilët me vetëdije abstenojnë për të mos humbur kohën kot në këtë drejtim, sepse fundja nuk ia vlen të harxhosh energji dhe para për të zgjedhur një president të zhveshur që në fillim nga pushteti edhe legjimiteti politik, ndërkohë që sipas Kushtetutës së tashmë R. së Maqedonise Veriore, pushteti i vërtetë është i përqëndruar në duart e kryeministrit gjegjësisht të shumicës parlamentare. Aq më tepër kur presidenti i zgjedhur do të jetë në fund kandidati i partisë më të madhe maqedonase në pushtet, i përzgjedhur personalisht nga kryetari i partisë, që të punojë vetëm për interesa dhe sipas direktivave të tij partiake, sic ndodhi ne kohen e VMRO.

Ku është atëherë poenta e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, kur te Ne, në esencë predominon sistemi i demokracisë parlamentare?! Çdo qytetar me njohuri themelore juridike dhe kulturë elementare politike e din se zgjedhje të mirëfillta dhe të arsyeshme presidenciale ka vetëm në SHBA, Francë dhe Rusi, ndërsa nga ana tjetër, në vendet ku mbisundon demokracia parlamentare gjegjësisht qeveritare, si në Gjermani, Itali, madje edhe në Greqi, as që i shkon mendja dikujt të organizojë dhe të harxhojë kohë dhe para kot, për të zgjedhur një president formal dhe protokolar. Mu në këto vende zgjedhja a presidentit bëhet me ‘koncensus’ të vërtetë, por në parlament edhe atë me 2/3 e votave. Jo rastësisht sovrani i këtyre vendeve është përcaktuar për këtë sistem sepse me këtë i detyron partitë të ulen dhe të merren vesht dhe të zgjedhin një person të pranueshem jo vetëm për një parti por së paku për partitë që e përbëjnë 2/3 e parlamentit.

Në këtë mënyrë ngushtohet hapësira për të simuluar formalisht bisedime që në fund secili të përfundojë në pikënisje dhe në taborrin e interesave të ngushta partiake. Sistemi i zgjedhjes së kandidatit nga ana e parlamentit ose me shumicë absolute do te shërbente si urë bashkimi dhe pajtimi ndërpartiak dhe ndërnacional, sidomos atëherë kur partitë që e përbëjnë shumicën s’mund të merren vesht si ta ndajnë pushtetin, pasi që njëra bëhet më e ‘babëzitur’ dhe më ‘lakmitare” kundrejt tjetrës, në uzurpimin tinëzar dhe arbitrar të pushtetit absolut, siç ndodhi këto vitet e fundit në Maqedoni.

Prandaj është koha e fundit, që partitë politike t’ia kthejnë sovranit të drejtën dhe mandatin për ta bërë zgjedhjen në mënyrë direkte me shumicen e 2/3, për një arsye të vetme por shumë të levërdishme-se në këtë mënyrë do të konsolidohej dhe balansohej pushteti i presidentit karshi parlamentit, pasi ai nuk do të jetë i detyruar të përfaqësojë një parti të vetme por shumicën dërmuese të popullësisë zgjedhëse, me anë të gjetjes së kandidatit të pëlqyeshëm për shumicën e trefishtë në parlament, i cili kandidat për këtë nuk do t’i detyrohej vetëm një personi apo partie, por së paku 3 partive më të mëdha në vend, me çka do të rritej uniteti edhe në rrafshin ndërnacional dhe si rrjedhojë do të rritej stabiliteti politik në staza më afatgjata, në rast të mosmarrëveshjeve eventuale në të ardhmen.

Çdo gjë tjetër është të bësh punën donkishotiane apo sizifiane, sa për t’u arsyetuar se jan Ne u munduam për askush s’na vari veshin dhe t’u hudhësh pluhur syve bashkëkombësve dhe bashkëqytetarëve të tu, në mënyrë që të mos i vërejnë mangësitë dhe dështimet në qeverisjen, si politikë ashtu edhe ekonomike. Prandaj parashtrohet pyetja: Pse nuk i bojkotojmë zgjedhjet edhe sivjet për hir të kandidatin koncensual? Apo vallë, kandidati koncensual u përmend formalisht, sa për të arsyetuar politikën e mëparshme të sigurimit të abstenimit të votuesve shqiptare!

 

COMMENTS