Përkeqësohet gjendja e 12-vjeçarit, dyshohet se iu ngatërruan analizat

Përkeqësohet gjendja e 12-vjeçarit, dyshohet se iu ngatërruan analizat

Dymbëdhjetë vjeçari, Eduard Igrishta, ka më shumë se një vit që është i sëmurë, diagnoza e të cilit ende nuk dihet. Mirëpo dyshohet se Eduardit iu ngatërruan analizat.

Ëndrra e tij është të bëhet futbollist.

Por, ka kohë prej kur aktivitete të tilla u bënë të pamundura për Eduard Igrishtën.

Dymbëdhjetë vjeçarit nga Vushtrria po i vështirësohej dita-ditës edhe qëndrimi në shkollë. Diçka të tilla nëna e tij e mori vesh nga mësuesja e Eduardit.

“Zonja Shqipe djali nuk është mirë. po qëndron veç si në kllapë, s’është në gjendje as me luajt as kurrgjë”, thotë Shqipe Igrishta, nëna e Eduardit.

Shqipe Igrishta nuk po kursente asnjë derë pa trokitur për të kërkuar shërbim për djalin e saj.

“Prej vitit të kaluar ka pasur problem me koll, më 24 dhjetor iu ka lëshuar gjakderdhja, nuk kishte problem me sinus, kardiologji”, thotë Igrishta.

Madje deri me tani nuk është arritur që këtij 12-vjeçari ti përcaktohet diagnoza e saktë.

E për të ditur se nga çfarë po vuante Eduardi, nëna e tij e dërgoj për t’ia bërë edhe disa analiza në një laborator.

Por, ajo tani  thotë se gjendja të birit të saj iu vështirësua pasi që mori rezultatet e analizave që iu kishin rekomanduar për t’ia bërë djalit.

Sipas Shqipes bashkë me to, nga laboratori ia kishin dorëzuar edhe analizat e dikujt tjetër.

Igrishta pretendon se terapia që iu dha djalit të saj, u bazua në këto rezultate të analizave.

Sipas saj, pas përdorimit të terapisë, gjendja shëndetësore e fëmijës po përkeqësohej.

E për krejt këtë ngjarje ajo e fajëson laboratorin që ia lëshoi analizat.

Thotë që kur kërkoi llogari nga ky laborator, iu rekomandua që t’i humb analizat e gruas tjetër.

Ndërsa nga laboratori po thonë që gjithçka ka qenë një gabim teknik, megjithatë sipas tyre një gjë e tillë nuk paraqet rrezik.

Madje sipas tyre, kjo akuzë po bëhet me qëllim dëmtimi të imazhit.

“Eduard Igrishta është pranuar në laboratorin tonë dhe ka marrë shërbimet e kërkuara me korrektësi dhe saktësi. I vetmi gabim ka qenë se gjatë futjes së rezultatit të Eduardit, në dosje janë futur edhe rezultatet e një pacienti, pa dashje. Dhe këtu nuk paraqet as 1% rrezik për pacientin se në çdo rezultat të analizave jepen shënimet e pacientit me emër, mbiemër e vit të lindjes, adresë dhe rezultate e analizave”, thuhet në njoftimin.

Ndërkohë i kontaktuar nga T7 edhe doktori i cili ia kishte caktuar terapinë Igrishtës bazuar në këto analiza, tha se një gabim i tillë nuk mund të ketë ndikim përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të 12-vjeçarit.

Familja Igrishta nuk ka mundësi financiare për trajtimin mjekësor të djalit të tyre.

 

COMMENTS