Parisi që bashkoi rreth 70 udhëheqës botërorë

Parisi që bashkoi rreth 70 udhëheqës botërorë

Udhëheqës botërorë të mbledhur në Paris do të kryesojnë ceremonitë përkujtimore të kësaj të diele, që shënojnë 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore, në një kohë kur nacionalizmi sa vjen e rritet dhe shoqëria globale është përfshirë nga tensione diplomatike.

Rreth 70 udhëheqës botërorë, përfshi presidentët amerikanë dhe rusë, Donald Trump e Vladimir Putin, do të shënojnë 100-vjetorin e Armëpushimit të vitit 1918 në kryeqytetin francez.

Ndërkohë, ceremonitë në Zelandën e Re, Australi, Indi, Hong Kong dhe Mianmar kanë shënuar fillimin e shfaqjeve përkujtimore në mbarë botën, për një konflikt që përfshiu miliona trupa ushtarake nga vendet e kolonizuara në Azi e Afrikë. Krerët e kombeve të “Commonwealth”-it, forcat e të cilëve u dërguan nën komandën britanike 100 vite më parë, dhanë gjithashtu një mesazh paqeje dhe shprese për botën, për shekullin në vijim.

“Ajo ishte një luftë ku India nuk u përfshi drejtpërdrejt, e megjithatë ushtarët tanë luftuan në mbarë botën për kauzën e paqes”, shkroi kryeministri indian, Narendra Modi, në Twitter këtë të dielë.

“Për të nesërmet tona, ata hoqën dorë nga ‘e sotmja’ e tyre”, tha kryeministri australian, Scott Morrison përpara një turme njerëzish të mbledhur për ceremoninë kombëtare të Ditës së Përkujtimit në Canberra.

Përkujtimoret në Paris, të përqendruara në varrin e “Ushtarit të Panjohur” nën Harkun e Triumfit, pritet të përfshijnë edhe paralajmërimet mbi rrezikun e nacionalizmit në kohët moderne.

“Kjo nuk është thjesht një ditë përkujtimoreje, por duhet të jetë edhe një thirrje e fuqishme për veprim”, tha një ditë më parë Kancelarja gjermane Angela Merkel, pasi vizitoi zonën pyjore në verilindje të Francës ku u nënshkrua marrëveshja e armëpushimit.

Merkel do të mbajë gjithashtu edhe fjalimin hapës, në krah të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në një konferencë të titulluar “Forumi i Paqes së Parisit”, që do të mbahet pas shërbesës përkujtimore në “Champs Elysees”, paraditen e kësaj të diele.

I organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, forumi në fjalë synon të nënvizojë rëndësinë e institucioneve ndërkombëtare për ndihmesën e dhënë në zgjidhjen e konflikteve, në parandalimin e luftrave dhe në përhapjen e prosperitetit. Kryeministrja britanike, Theresa May dhe Mbretëresha Elizabeth II do të marrin pjesë në një ngjarje më vete, në Londër./kp

 

 

COMMENTS