Osmani: Skandali me fotografinë nuk ishte gabim, ishte gjithçka e organizuar

Osmani: Skandali me fotografinë nuk ishte gabim, ishte gjithçka e organizuar

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani është shprehur se gabimi me fotografinë e publikuar mbrëmë nuk ishte gabim i pafajshëm.

Ajo gjithashtu ka thënë se kjo i ka bërë një dëm të pariparueshëm Kosovës.

Madje, deputetja Osmani ka deklaruar se ekzistonte një plan për ta destabilizuar Kosovën.

“Turpi le të mbetet në ndërgjegjen e atyre që shndërruan ditën e djeshme nga një ditë të dedikuar për viktimat, në një ditë të protagonizmit politik e skandaleve të turpshme”, ka thënë ajo.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e saj në Facebook:

Skandali i mbrëmshëm me fotografinë i ka bërë dëm të pariparueshëm Kosovës dhe nuk mund të mbulohet me asnjë konferencë për shtyp. Institucionet e sigurisë duhet të jepin përgjigje rreth komplotit që u tentua ti bëhej dje shtetit të Kosovës. Ky nuk ishte thjesht një gabim i pafajshëm. Ishte nje plan që si duket kishte për qëllim të destabilizonte vendin tonë. Jo rastësisht, brenda pak orësh, u publikua foto (e cila kinse paska qenë aty që nga v.2003), ju dhanë emra personave në foto, ju hapën atyre profile në FB, ju përcaktuan vendbanime, etj etj). Kjo dëshmonte për një plan të organizuar mirë.

Turpi le të mbetet në ndërgjegjen e atyre që shndërruan ditën e djeshme nga një ditë të dedikuar për viktimat, në një ditë të protagonizmit politik e skandaleve të turpshme.

Por, një gjë është e sigurtë: as Serbia e as një grup politikanësh të papërgjegjshëm nuk mund ta mbulojnë e ndryshojnë të vërtetën rreth Kosovës. Ajo u shpërfaq para syve të tërë botës, në format më makabre të veprimeve gjenocidale të shtetit serb. E vërteta është se:

– Në Kosovë u vranë mbi 13 mijë civilë shqiptarë

– Në Kosovë u vranë e u masakruan barbarisht afër 1400 fëmijë e foshnje,

– Në Kosovë u dhunuan rreth 20 mijë gra,

– Në Kosovë u dogjën e shkatërruan mbi 128 mijë shtëpi,

– Në Kosovë u dëbuan nga shtepitë rreth 1 milion shqiptarë, më shumë se gjysma e popullsisë;

– Në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Asnjë fotografi, asnjë komplot, e asnjë politikan i papërgjegjshëm nuk do të arrijë kurrë të mbulojë e shtrembëroje të vërtetën. /Lajmi.net

 

COMMENTS