Osmani flet për heqjen e fotos së Thaçit: S’është ndryshimi i vetëm që do të bëj

Osmani flet për heqjen e fotos së Thaçit: S’është ndryshimi i vetëm që do të bëj

Vjosa Osmani ka thënë se nuk ka shkelur ligjin me lëvizjen e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi në një nga zyrat e saj.

Sipas saj, vendosja e fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova në vendin ku ishte ajo e Thaçit dhe vendosja e fotografisë së Thaçit në një hapësirë tjetër, “janë krejtësisht veprime normale”.

Madje Osmani i është përgjigjur PDK-së që reagoi sot ndaj këtij veprimi duke thënë se Osmani ka shkelur ligjin me këtë veprim. Ajo u është përgjigjur duke thënë “Shikoni kush po na flet”.

“Unë jam e bindur se secili që ka folur sot e di mirë që kam kontribuar në hartimi ne atyre ligjeve që po tentojnë t’i interpretojnë. Në të njëjtën kohë ndihem e nderuar që kam pas rastin këtu ta vendos fotografinë e arkitektit të shtetit të pavarur të Kosovës. Zhvendosja e fotografisë është në përputhje me ligjin. Zhvendosja e fotografive e figurave ndodh nga secili lider institucional. S’është ndryshimi i vetëm që do të bëj. Veprimi i parë në fakt që kam bërë ka qenë figura e Nënës Terezë që e kam sjellë këtu. Kam besuar se duhet prezencë më e madhe e grave që kanë bërë historinë. Do të sjell fotografi të grave që po na bëjnë nder sot. Gjithçka në përputhje të plotë me ligjin. S’është shkelje ligjore absolutisht. Le ta dërgojnë ku të duan e të vijnë ta shohin. S’do të duhej më pas veç interpretimi i juristëve, por edhe arkitektët. Por kur hyj në zyrë është me rëndësi ta kem këtu presidentin Rugova, por asnjëherë duke shkelur ligjin me fotografinë e presidentit aktual. S’e shoh si gjë që është e nevojshme. Kam punuar vetë në hartimin e ligjeve dhe e njoh në përpikëri. Fotografia është vendosur në përputhje të plotë aty ku e kërkon ligjin”, ka thënë ajo në KTV.

“Këta që paskan reaguar kështu po ma kujtojnë thënien e miqve amerikanë “Shiko kush po na flet”. Do të doja t’i dëgjoja më shumë përgjatë këtyre viteve kur Kosova po rrëshqiste në një shtet të kapur. S’kanë folur kur presidenti rrezikoi territorin e vendit. Sot ata që paskan folur paskan keqinterpretuar veprimin tim. S’është heqje, është lëvizje. Madje ligji nuk e kërkon që të jetë në këtë sallë e me aq do ta interpretoja. Edhe nëse e heq atë dhe e vendos në zyrën tjetër, do të ishte në përputhje me ligjin. S’e kam bërë, por kur teprohet me akuza banale është ku ishit kur ligji shkelej në mënyrë eklatante çdo vit, kur vendoseshin harta e cenohej integriteti territorial”, ka shtuar Osmani.

Ajo madje ka thënë se raportet si krerë institucionalë do t’i kenë normale. Ka thënë se qysh në ditën e parë si kryeparlamentare i ka dërguar letër Thaçit edhe pse ka shtuar se s’ka marrë urim nga ai.

“I kam dërguar letër që në mëngjes që t’i kërkoj sa më shpejtë të shtyjë procedurat për deputetët që janë bërë ministra e është esenciale që ai ta përcjellë kërkesën në KQZ. E kam nënshkruar letrën duke iu përputhur me obligimet e mija kushtetuese. Dallimet s’ishin kurrë personale, veç për tema politike. Shpresoj shumë që në këtë vit që i ka mbetur ta luajë rolin e unitetit”, ka deklaruar Osmani.

 

COMMENTS

COVID-19 Statistika

Këtu i keni informatat e fundit lidhur me pandeminë COVID-19