Organizatori i protestës kundër masave të pandemisë në Londër dënohet me 10,000 funte

Organizatori i protestës kundër masave të pandemisë në Londër dënohet me 10,000 funte

Njëri ndër organizatorët e protestës kundër masave të pandemisë në Lindën, Piers Corbyn, ka thënë se është dënuar me 10,000 funte në bazë të rregullave të reja kundër përhapjes së koronavirusit, me të cilat ndalohen tubimet e mëdha.

Vëllai i madh i ish-kryetarit të Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, tha se është arrestuar nga policia pas tubimit të së shtunës në Sheshin “Trafalgar”, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Burri 73-vjeçar, i cili i mohon ndryshimet klimatike, tha se po planifikon të paraqesë ankesë kundër kësaj gjobe, që ishte një ndër të parat që u shqiptua sipas rregullave të reja për parandalimin e pandemisë.

Policia Metropolitane e Londrës tha se personi i arrestuar është njoftuar të dielën se do t’i jepet gjoba e prerë prej 10 mijë funteve për mbajtjen e një tubimi me më shumë se 30 persona në mjedis të hapur.

Në protestën e së shtunës morën pjesë qindra njerëz. Në mesin e tyre kishte përkrahës të teorive konspirative, mohues të ekzistencës së koronavirusit dhe përkrahësit e lëvizjeve të së djathtës ekstreme.

Protestuesit kërkuan që të largohen masat kufizuese që e kanë dëmtuar ekonominë. Britania deri më tani ka shënuar më shumë se 41,000 viktima të koronavirusit dhe qytetarët janë akuzuar për mosrespektim të masave.

 

COMMENTS