Një Përkujtim i Shkurtë për Heroin tim të Parë

Një Përkujtim i Shkurtë për Heroin tim të Parë

 

Mbrëmë lëshoj të fundit frymë, simboli i rezistencës kombëtare dhe një prej zërave më të vyer të përpjekjeve politike shqiptare të shekullit të fundit, Adem Demaçi.

Gent Cakaj

Është tepër e vështirë, nëse jo krejtësisht e pamundur në këto çaste, të shkruash diçka përmbajtësore që njëmend kapërthen përmasën e veprimtarisë të tij jetësore apo që përshkruash realisht zbrazëtinë e thellë politike dhe njerëzore të shfaqur menjëherë me të vdekur të tij. Jeta e veçantë e Demaçit sfidon qëndrueshmërinë e strukturave të fiksuara të biografive personale dhe pesha e veprimtarisë të tij s’përmbledhet me asgjë që rëndom qëndron midis numërimeve mekanike kohore të një datë-lindje dhe një datë-vdekje: ai është vepra e madhe përtej çdo komentimi aktual, sakrifica e thellë matanë çdo përshkrimi të mundshëm, rrëfimi më i veçantë për tejkalimin e kohëve të dhëna kur çdo gjë ndryshe duket e krejtësisht e pamundur edhe në imagjinatën më të frytshme.
Ai është shpresa që shfaqet kur besimi humbë, puna dhe përkushtimi që fillon kur lodhja dhe zbrapsja bëhet zakon, jehona e shurduese e zërit që ngritet pas heshtjeve të gjata, frymëzimi më i rallë midis kohërash të vështira dhe guximi më i lartë që vjen pikërisht kur frika duhet tëjkaluar. Ai është vetë historia maratonike e vendit të tij, Kosovës, e përmbledhur në një dramë të vetme jetësore.

Sidoqoftë, ashtu sikurse ndjenja e sublime e pakufijshmërisë vjen prej trajtave të kufizuara të monumenteve të kultit antik, duket se respekti i thellë që tejkalon fjalët bëhet i tillë nëpërmes një kujtimi sipërfaqësor.

Kokëfortësia e tij e natyrshme personale dhe pasioni i tij profesional për letërsinë duket se ishte e thënë të merrnin trajtën e një beteje të veçantë politike dhe ndërmarrje të posaçme historike qysh në fillim të viteve 1950-ta. Demaçi fillimisht u regjistrua në vitin 1953 si student në degën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit për tu zhvendosur në departamentin e letërsisë botërore pak vite më pas. Kjo nismë shkollore, tërësisht e zakonshme në dukje, u bë shkas i një rikthimi radikal të diskursit albanologjik brenda inxhineringut të zingjirtë ideologjik të Jugosllav të asaj bote. Nëse inferoriteti i mbjellur nga presioni shoqëror në Beograd shndërrohej në konformizëm politik të plot studentëve shqiptar atje, Demaçi duket se ka shkelur atë hapësirë i pajisur natyralisht me normën më të lartë të sjelljës të dinjitetshme dhe me fuqinë e pashoqe të mendimit të pavarur.
Ai do të mbahet gjithmonë në mend kur si student i ri, pikërisht në vitet që njëtrajtshmëria në sjellje ishte kthyer në zakon dhe aplaudimi histerik para autoriteteve shtetërore në praktikë ditore, i’u kthye drejtëpërdrejtë dhe publikisht ideve të Dobrica Qosiqit për domosdoshmërinë e promovimit të një patriotizmi letrar jugosllav edhe në gjuhën shqipe. I pathyer në qëndrime dhe i prerë në fjalë, Demaçi i ri, tha hapurazi se do të vazhdon letërsinë e vendit të tij, të rilindasëve dhe traditës kombëtare, si motiv qëndror të punës të tij krijuese. Guximi personal e idealizmi politik prapa një veprimi të këtillë për rrethanat e kohës është thjeshtë i papërthyeshëm në fjalë: ai nuk u ndal asnjëherë së guxuari për të thënë atë që mendon para çfarëdo autoriteti dhe pavarësisht çdo pasoje. Një akt i kësisojtë mbase mund të duket fare i lehtë dhe i zakontë nga pikëpamja e sotme kohore pikërisht ngaqë pesha e plumbtë e diktaturës u thye dikur sall në qëndrueshmërinë e tij titanike para çdo dhimbje që sjellë jeta dhe ndaj çdo shtypje që sjellë politika.

Në vitin 1958, Demaçi publikon romanin e tij të vlefshëm për kohën, ‘Gjarpërinjtë e Gjakut’, si manifestim kritik ndaj dukurisë të hakëmarrjes brenda shqipëtare dhe afirmim të nënkuptuar të domosdoshmërisë të unitetit të brendshëm. Sidoqoftë, ylli i ri shndërritës i letërsisë shqipe që kishte vendosur ta sfidonte gjithë gravitetin e cenzurës diktatoriale, u arrestua shpejtë, në po të njejtin vit, në objektet e Rilindjës të asaj kohe. Pavarësisht se qarkullimi i librit të tij u ndalua menjëherë me vendim zyrtar,
fjala e tij e thënë e puna e tij e bërë ishte e thënë të shndërrohet në motiv afatgjatë të pothuajse çdo brezi atëdhetarësh pas tij. Demaçi, pra, është rikujtesa e prekshme se qoftë edhe ligjet e hekurta të diktaturës janë të destinuara të shkrihen një ditë para angazhimeve të zjarrta të idealistëve kokëfortë dhe punëve të kryera me bindje drejtësisht. Ai vuajti denimin e parë nga viti 1958-1961 në burgun e Mitrovicës të Stremit në Vojvodinë thuajse vetëm për tu ngritur përtej përvojave të hidhura të mbylljes dhe mbi autoritetet e vrazhda që e mbyllën më shpejtë se që çdo kush mendoj në kohën e tij. Atëherë kur pothuajse çdo mendje e shëndoshë e çdo zemër e zakonshme mbante pritje se Demaçi po kthehej politikisht më i diciplinuar dhe i si letrar i mbyllur heshtur në dhomën e shkrimeve të tij, ai u shfaq edhe më kristaltë në mendime edhe më i vendosur në qëndrime. I tillë mbase jetoj deri në mbasditen e djeshme: gjithmonë jashtë pritjeve të zakonshme dhe kundër rrymave dominante politike me vizion dhe konsistencë.

Në vitin 1963, Demaçi bëhet themeltar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqipëtarëve. Neni i parë i statutit të kësaj organizate thoshte ‘Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjës tonë asht sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banume në shumicë prej shqipëtarësh, që gjinden ende nën administrimin e Jugosllavisë, d.m.th. qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjës tone asht – çlirimi i krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimin e këtyre krahinave me nanën e vet – Shqipninë’. Me këtë parim politik dhe jo vetëm, Demaçi ra në konflikt të drejtëpërdrejtë me regjimin e Rankoviqit, gardën e shqipëtarëve komunist të kohës dhe sistemin e atëhermë represiv jugosllav në përgjithësi. Sidoqoftë, ai asnjëherë nuk iu frikua ballafaqimeve i vetëm dhe kundër të gjithëve. Shfaqja e kësaj Lëvizje shënon përpjekjën e parë strukturalisht të organizuar dhe politikisht ndërhyrëse për bashkim kombëtar që nga lufta e Dytë Botërore në Kosovë. Për më tepër, rëndësia e veprimtarisë të tij në këtë periudhë duhet të vështrohet edhe nga pikëpamja e angazhimeve anti-koloniale që atëherë ishin vepruese botërisht dhe lëvizjeve protestuese anti-establishment që shpërthyen gradualisht kapilarëve institucional të regjimeve komuniste në Evropën Qëndrore nga fund vitet 1950- fillim vitet 1960 e tutje. Demaçi, pra, nuk ka qenë thjeshtë një personalitet ndryshe dhe vetëm një figurë e risive: dallimi dhe risia e tij kanë pothuajse gjithëherë domethënie historike.

Në mbrëmjen e vonë të datës 12 Prill 1964, Adem Demaçi me shokët e tij vendosën 99 flamuj kombëtar anë e kënd kryeqendrave të Kosovës për ta afirmuar përfaqësimin kombëtar dhe vullnetin politik për vetëvendosje të shqipëtarëve në Jugosllavi. Kësisoj, nga terri i natës të mëparme, më 13 Prill zbarthi mëngjesi i parë dhe shndërriti ndjenja kombëtare pas shumë kohës nga përfaqësimi simbolik me flamurin kuq e zi në çdo kryeqendër të Kosovës. Sidoqoftë, ajo që dukej të ketë qenë gjallërim kombëtar për një popull të tërë do të shndërrohej në burgim të shpejtë për Demaçin si individ. Ai u burgos menjëherë, me masa të dhunshme dhe gjyq të shpejtë, në burgjet famëkeqe të Nishit dhe Pozharevcit nga viti 1964 deri në 1974. Sidoqoftë, Demaçi tashmë kishte tejkaluar jo vetëm regjimin jugosllav por edhe vetën e tij. Ai ishte përtej burgjeve. Ishte shndërruar në pluhur frymëzimi kombëtar i shpërndarë gjithandej, i pambyllshëm në hekurishta burgjesh dhe i pakufizueshëm me masa të dhunshme policore. Në ditet ende të kujtueshme të 27 dhe 28 nëntorit 1966, atëherë kur shqipëtarët në Kosovë u ngritën në protesta duke kërkuar vetëvendosje kombëtare dhe barazi politike, kërkesa për lirim të menjëhershëm të Demaçit ishte jo vetëm e dallueshme por edhe pjesë e rëndësishme e motiveve popullore të asaj kohe. I hijëzuar para protestave të atëhershme, fryma e Demaçit u bë shkas i një kundërvendosje të papajtueshme midis 28 Nëntorit të Pavarësisë të Shqipërisë dhe 29 Nëntorit si dita zyrtare e Jugosllavisë. Demaçi, pra, ishte njeri i simbolikave të veçanta kombëtare dhe simbol kombëtar i qëndresës historke në përgjithësi.

Për dhjetë vite në burg, Demaçi as nuk u thye as nuk ndryshoi. Para se të bëhej subjekt i gjyqeve politike, Demaçi gjithmonë do të mbahet mend për llogarinë politike që kërkonte para autoriteteve jugosllave në seanca gjyqësore për padrejtësitë që po ushtrohen ndaj popullit dhe vendit të tij. Demaçi është thjeshtë lloji më i rrallë i njeriut idealist që mbron me lëkurë, zemër e tërë qenie atë që mendon dhe beson pa marrur në konsideratë asnjë rrezik të jashtëm. Ai ka luajtur me vdekjen e tij para duarëve, në aksione ilegale, burgje dhe luftën e fundit në Kosovë, për mëse gjysë shekulli përpjekje të pandalshme për ta kaluar atë në përgjithmonësi: Demaçi vetëm ka ndërruar jetë!

Demaçi ishte i mbyllur syrgjynesh kur statusi politik i Kosovës ishte në evoluim cilësor dhe zhvillim e sipër: rënia e Rankoviçit në 66, hapja e Universitetit të Prishtinës në 68 e deri tek marrja e autonomisë më 1974 e gjetën atë të mbyllur prapa grilave. Sidoqoftë, ai ishte pjesa e realitetit të shtypur që fshihej në tryzat elitiste të Jugosllavisë dhe zëri i ndrydhur i ndërgjegjës kombëtare për një ideal që s’është përmbushur ende. Demaçi nuk mjaftohej me autonomi të Kosovës si pjesë integrale e Serbisë në kuadër të Jugosllavisë por kërkonte vetëvendosjen e Kosovës për bashkim me Shqipërinë. Ai u lirua nga burgu në vitin 1974, pra, pikërisht në periudhën kur shqipëtarët e Kosovës filluan të gëzojnë jetën cilësore dhe statusin më të avancuar politik që nga pas Lufta e tutje në Jugosllavi. Përderisa bota shqipëtare dominohej ose prej entuziastëve prej ndryshimeve të bëra ose realistëve që insistonin se asgjë s’mund të ndodhë ndryshe, Demaçi u shfaq prap i njejtë dhe i vendosur për të vazhduar gjithçka aty ku e kishte lënë në çastin e arrestimit. Faktin e të qenurit të pandreçshëm Demaçi e ka paguar shpeshëherë dhe më shumë se kushdo tjetër me çmimin e të qenurit i keqkuptuar. Ndonëse dukej si i shkëputur nga realiteti për shkak të burgimit kohësisht të gjatë, ai ishte vetë pjesa tjetër e realitetit të mohuar dhe i vetmi para kohës të të gjithëve. Iluzioni i qelqtë i avancimit politik u thye shpejtë nga zhurma e protestave studentore që vërshoi në vitin 1981 e vazhdoj, me tendosje të vazhdueshme e betejë të hapur, deri në suprimim të autonomisë në mars të vitit 1989. Ai tashmë ishte i burgim për herë të tretë që nga muaji i tetorit të vitit të hamendjeve të mëdha 1975. Ai qëndroi burgun e Gradishkës të Vjetër të Kroacisë edhe për 15 vite më shumë deri në 1990.

Në botën që ishte kapluar nga entuziasmi i shembjes të Murit të Berlinit, Demaçi u ri-shfaq me 28 vite burgje në jetë për bindje të tij politike dhe rezistencë kombëtare. Sidoqoftë, nëse vala e ndryshimeve në Evropën Qëndrore dhe Lindore kishte ushqyer frutet kulturore të botës post-historike, fati i kishte rezervuar Demaçit edhe njëherë një vend të veçantë në skenën dramatike të përmbysjeve rrënjësore politike dhe rropatjeve të shumta njerëzore. Ai nuk e jetoj asnjëherë ‘melankolinë e përmbushjes’ por përjetoj vazhdimisht ankthin që vjen nga domosdoshmëria e angazhimit. Demaçi i liruar nga burgu në një dramë të dyfishtë: nga njera anë, ri-përkufizimi i relacioneve globale politike pas rënies të sistemeve komuniste dhe shfaqja në horizont e luftërave ndër-etnike në Jugosllavi dhe, nga ana tjetër, ri-organizimi kombëtar për të ngritur ‘sistemin paralel’ dhe gjetur format e reja të ballafaqimit me regjimin kriminal të Millosheviqit. Në çdo episode historike ekziston një copë ‘ademdemaç’.

Ai u lirua nga burgu në moshën 65 vjeçare. Kur çdo kush e kishte pritur të thyer në moshë, të lodhur në vuatje dhe të mbyllur më fund në qetësi, Demaçi u shfaq si vigan i pamposhtur me resurse energjie të pashpjegueshme për çdo studiues të sjelljes njerëzore. Në fakt, për Demaçin, lirimi personal nga burgu nuk kishte edhe aq rëndësi. Në fjalimin e tij iu dha çmimi prestigjiov Saharov në Dhjetor 1991, Demaçi, me fjalë të tjera, iu tregoj euro-parlamentarëve se në Kosovë nuk ka lirime të personaliteteve nga burgu sepse vetë Kosova është shndërruar në një burg kolektiv. Menjëherë, prej komunikimeve më të larta diplomatike në Evropë, Demaçi u kthye poshtë tek njerëzit e tij si punëtor në Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe si aktivist politik. Ai asnjëherë as nuk heshti as nuk u zbraps: ai vazhdoi me greva urie dhe protesta politike kundër mbylljes të medieve në gjuhën shqipe në Kosovë në vitet 91, 92 e 93, denoncoj çdo fije represioni të sistemit të Millosheviqit hapur dhe guximshëm para botës e madje edhe vetë medieve serbe gjatë gjithë viteve 90’, u bë pjesë e jetës parlamentare të sistemit paralel me Partinë Parlamentare dhe, në fund, u shërbeu si përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në Mars 1999. Ai dha dorëheqje nga kjo pozitë për shkak të mospajtimit politik me nënshkrimin e Marrëveshjes të Rambujesë. Me të drejtë ose jo, Demaçi nuk ka bërë asnjë hap në shpërputhje me atë që ia thotë mendja dhe ia kërkon zemra. Dhe, ai është njeriu që ka paguar çmimin më të lartë mes të gjithëve për bindjet e tij se çka është e mira e përgjithshme e çka është interesi i kombit.

Largimi nga UÇK nuk ndryshoi shumëçka tek Demaçi: mes bombave të NATO-s, kur pothuajse 1 milion shqiptar ishin depërtuar nga Kosova në më pak se 10 dit, Demaçi mbahet mend të ketë ecur i vetëm rrugëve të Prishtinës pavarësisht paralajmrimeve për orët policore dhe likuidimin e mundshëm. Edhe pse dukej se e kishte privuar nga aftësia natyrore e përshtatjes me rrethanat e jashtme, rastësia e rrethanave të luftës duket se ia siguroi një copë të paprekshmërisë të qenies pa ia cenuar asnjëherë botëkuptimet e tij të lira.

Pas luftës në Kosovë, ai mbeti jo vetëm i njejtë por edhe pavarësisht të gjithëve. Ishte prej të pareve që vizitoi qytetarët serb të Kosovës për të dhënë mesazhin se hakmarrja etnike nuk është zgjidhje dhe se bashkë-ekzistenca e bazuar në vlera është një ideal i çmuar i demokracisë që Kosovës i duhet. Ai, si At’ Gjergj Fishta në kohën e vet, foli shpeshëherë shkujdesur dhe përdori fjalë të rënda për gjithë ata që druante se këtij vendi i’a vodhën perspektivën dhe i’a keqpërdorën lirinë. Jo rrallë, ai dha shembullin se si jetohet lumturisht edhe para mosmirnjohjes kolektive duke qenë i bindur se është në anën e drejtë. Fytyra e Demaçit nuk do të harrohet asnjëherë kur shfaqej e përlotur në përkujtime me buzë të varura sikurse po reciton vetmevete një histori kolektive. As temperamenti i tij impulsiv në diskutim as qasje e tij polarizuese në politikë s’ka për tu harruar ndonjëherë. Pavarësisht sfidave në jetë, ai vazhdoj të flas me mall e dashuri për Shqipërinë deri në vdekje.

Bindjet e tij politike janë kontestuar shpeshëherë dhe mbesin të kontestueshme në shumë rrethana të ndryshme. Mirëpo, kjo assesi nuk e ndryshon faktin se ai mbetet shqipëtari më qëllim-mirë në politikë, shembulli më sublime se si duhet atdheu pa kushte dhe vlera më e veçantë patriotike e një kombi të tërë.

Adem Demaçi nuk është Nelson Mandela as i shqipëtarëve dhe as i Evropës. Ai është thjeshtë Adem Demaçi: i pakrahsueshëm dhe i veçantë në vetëvete, produkt autentik i kultures të cilës i takoj.

Në fund, Adem Demaçi, për juve nuk ka një ‘Pusho i Qetë’. Thjeshtë, askush nuk mund ta paramendoj Adem Demaçin as duke pushuar as duke qenë i qetë. Me siguri, Demaçi duket të ketë marrë vetëm ndonjë tjetër rrugëtim përtej nesh, duke lënë prapa trashëgiminë më frymëzuese të njeriut që vendos bindjet para jetës dhe gjithë jetën e tij në shërbim të vendit.

Lavdi jetës të tij që s’krahasohet me askë dhe te punës që do t’i kujtohet gjithëherë!

Fotografia e Gent Cakaj
 

COMMENTS