Një keqkuptim i madh i politikës me Kombëtaren e Kosovës në futboll

Një keqkuptim i madh i politikës me Kombëtaren e Kosovës në futboll

Futbolli është dashuria e munguar e shqiptarëve, është ëndrra e të parëve tonë. Jemi me fat që po e jetojmë këtë kohë. Duke brohoritur në Prishtinë e kudo në botë, Kosova… Kosova… unë biri yt

Autor: Bashmir Xhemaj

Louis, rreth të tridhjetave, ishte anglezi që para disa vitesh, me dy miq të tij, kishte nisur botimin e një reviste për të promovuar futbollin e shteteve të vogla dhe të harruara. Kosova ishte ndër vendet e para që ata zgjodhën për t’i kushtuar një numër të veçantë për kualifikimet e 2016-s për në Botëror. Ekipi i revistës Glory nga Angliakaloi një javë në Kosovë dhe Shkodër në ndeshjen kundër Kroacisë por numri i revistës që u botua pas disa javësh përçonte një mesazh përtej rezultateve në fushë. Me titullin “Agonia dhe ekstaza” autorët e përshkruanin ecjen e Kosovës si histori në bërje dhe sloganin e njohur të Dardanëve “të rritur nga lufta, më të fortë se frika” e ndërlidhnin me luftën e Jasharajve, rënien por edhe ngritjen e kombi të vogël dhe dashurinë për futbollin. Që nga ajo kohë, gjithnjë e më shumë media botërore kanë raportuar, më shumë artikuj pozitiv janë publikuar dhe dokumentar të mediave të njohura janë realizuar për Kosovën e futbollit. Dhe, kombëtarja po i jeton momentet e krenarisë me lojëra të bukura dhe rezultate duke kënaqur mijëra shqiptarë në botë. Secili po e beson që mund të kualifikohemi për në Europianin 2020, e mbi të gjitha, po e besojnë vetë protagonistët e këtij projekti të ri-zgjimit të Kosovës, futbollistët.

Dhe teksa secili e shijon dhe kënaqet në mënyrën e tij për suksesin e futbollit të Kosovës, ka diçka që duket se ka ngecur ose nuk ka vëmendje të duhur. Gjithë ai publicitet ndërkombëtar i nisur para disa vitesh me revistën Glory që lexohej pak por ishte me ndikim, po përcillet në heshtje nga shteti. Mundësinë e jashtëzakonshme të publicitetit të Kosovës të krijuar nga kombëtarja, politika po dështon ta shfrytëzoj për t’i treguar botës rrëfimin e saj dhe në mënyrë më të organizuar. Përmes sportit, në veçanti futbollit e xhudos, Kosova do të mund të brendohej lehtësisht si një shtet i vogël që prodhon talent, duke përmirësuar imazhin e rënduar në botë dhe të një shteti që ka mbyllur njëzet vjet konflikt por përpiqet i izoluar të marrë një njohje globale të turistëve dhe brendeve të ndryshme. Pra, gjithë ky interesim duhet të kthehet në një fushatë të brendimit kombëtar, një koncept ky i vonshëm që shumë shtete e kanë ndërmarrë me vite të tëra për ti promovuar vendet e tyre kudo në botë dhe forcuar identitetin dhe shtetësinë. Një shembull i mirë është Afrika e Jugut. Kur Nelson Mandela doli nga burgu, dhe erdhi në krye si president, ai e gjeti një shoqëri edhe më të ndarë na baza racore dhe etnike. Para tij u shfaq një moment kthese –Kampionati Botëror në Ragbi në vitin 1995. Ekipi kombëtar i Afrikës jo vetëm që do të ishte mundësia e artë e Mandelës, por edhe i Afrikës Jugut për të lënë prapa krahëve një histori të dhunës dhe turpit kombëtar. Mandela e ktheu ekipin kombëtar në platformën e tij për të bashkuar shoqërinë dhe promovuar Afrikën e Jugut si shtetin e të gjithëve. Ai arriti ti bashkoj njerëzit përmes sportit dhe ta ripërcaktoj imazhin ndërkombëtar të shtetit të tij.

Shembujt janë të shumtë në këto dekadat e fundit. Qytete dhe shtete të tëra sot vizitohen e njihen falë futbollit dhe arritjeve të mëdha në sport, kulturë e artë. Prandaj Kosova ka përpara një mundësi e artë për të nisur një fushë brendimi sikurse ajo e vitit 2009 e Kosovo Young Europeans e cili fatkeqësisht nuk zgjati. Politika do të duhej të angazhohet për ta shndërruar kombëtaren në një platformë përmirësimi të imazhit jashtë dhe të forcimit të identitetit shtetëror. Të ushqej mijëra të rinj të lindur pas vitit 1999 me përkatësinë etnike, shtetërore dhe të simboleve të Kosovës. Dhe këtë ndjesi, shoqëria duket se e ka përvetësuar përpara politikës tashmë. Në një koncert para disa ditësh në Zvicër, Albfest, ku ishin mbledhur mijëra të rinj shqiptarë që jetojnë në Evropë, befasisht thirrej në kor zëri i Milot Rashicës, dhe jo yjeve të tjerë shqiptarë të pranishëm aty që kanë bërë emër me Zvicrën, sikurse Xherdan Shaqiri. Pra, s’ka dyshim se zemra u rrah më fort për Kosovën.

Këto ngjarje janë pjesë të shkëputura të një potenciali të madh që Kosova ka përpara. Një mundësi për të rritur reputacionin si vend në hartën e botës. Me një ekip profesional komunikimi të huaj dhe vendas, lehtësisht mund të përcaktohet vizioni afatgjatë i Kosovës nëpërmjet sportit dhe artit duke ftuar ekipe e gazetarë dokumentarësh dhe film bërësit për të përcjellë e kapur momentet më të mira. Kosova mund t’i luante ndeshjet si vendas edhe në Gjermani apo Zvicër ku ka një prani të madh shqiptarësh për t’ua imponuar imazhin tonë në ato shtete dhe mediat e tyre. Kosova mund të promovohet si një vend miqësor, me shumë të rijnë që flasin gjuhë të ndryshme, burim talentesh dhe ndërmarrësish të rijnë. Të ndahen fonde për akademitë e futbollit brenda vendit dhe të nxitet heqja së vizave për këtë boom talentesh të rinj.  Të aranzhohen mundësi sponsorimi për Kombëtaren të kompanive të mëdha sportive si Nike apo Adidas, si dhe të grupeve të mëdha mediale. Lista e ideve mund të jetë shumë më e gjatë. Mundësia e jonë është përpara dhe e shumëfishtë. Nuk ka kohë për të humbur. Futbolli është dashuria e munguar e shqiptarëve, është ëndrra e të parëve tonë. Jemi me fat që po e jetojmë këtë kohë. Duke brohoritur në Prishtinë e kudo në botë, Kosova.. Kosova…. unë biri yt J

(Autori është këshilltar i lartë i zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj. Opinionet e shprehura janë personale dhe nuk reflektojnë domosdo qëndrimin e institucionit ku punon)

 

COMMENTS