Nisin hetimet për shitjen e biletave për ndeshjen Kosovë – Angli

Nisin hetimet për shitjen e biletave për ndeshjen Kosovë – Angli

Prokuroria e Shtetit ka autorizuar njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për t’i verifikuar dyshimet lidhur me shitjen e biletave të ndeshjes Kosovë-Angli. Kjo pasi shumë qytetarë janë ankuar se nuk po munden t’i blejnë biletat e kësaj ndeshjeje në web faqen e cila i shet ato.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se do të bëhet grumbullimi i të gjitha informatave lidhur me shitjen e biletave online.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se ka autorizuar njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, në mënyrë që të verifikohen dyshimet e ngritura, si dhe për grumbullimin e të gjitha informatave lidhur me shitjen e biletave online për ndeshjen e futbollit ndërmjet Kosovës dhe Anglisë”, thuhet në njoftim.

Në këtë komunikatë thuhet se Prokuroria e Shtetit ka filluar hetimet që nga 15 tetor 2019, lidhur me shitjen e biletave online për ndeshjen Kosovë-Mali i Zi, gjë për të cilën është njoftuar opinion publik dhe se tashmë hetimet janë duke vazhduar.

Ndryshe, edhe sot sistemi për blerjen e biletave online për ndeshjen Angli-Kosovë është jashtë funksionit. Në fakt, faqja ka rënë nga sistemi ende pa nisur shitja e biletave, që ishte caktuar për dje.

Kjo mënyrë e shitjes së biletave është kritikuar nga tifozët, pasi ata e kanë të pamundur t’i blejnë ato./GazetaExpress

 

COMMENTS