Ministria që po shkep miliona për lobim: Kemi të drejtë të bëjmë kontrata të fshehta, Serbia jep qindra miliona

Ministria që po shkep miliona për lobim: Kemi të drejtë të bëjmë kontrata të fshehta, Serbia jep qindra miliona

Ministria e Integrimit Evropian e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, pas lajmit të publikuar në Gazetën Express, me titullin “Zgjerohet skandali me milionat për lobim, Express sjell kontratën e Dhurata Hoxhës me francezët”.

Gazeta Express ka raportuar sot se “përderisa Kosova po vazhdon të mbetet pa liberalizim të vizave, Ministria e thirrur për këtë punë, ajo e Integrimeve Evropiane, po harxhon miliona të taksapaguesve me kompani lobimi në BE, Amerikë, si edhe për të “informuar” për të satën herë qytetarët për procesin e liberalizimit. Së fundmi, ministrja e PDK-së, Dhurata Hoxha ka nënshkruar edhe një kontratë me kompaninë franceze “Majorelle”, për të kërkuar nga ta informacione për agjendën e Kosovës në BE. Për tre muaj këto kontrata të MIE-së i kushtuan buxhetit të shtetit më shumë se 1 milionë euro”.

Nëpërmjet komunikatës, MIE ka thënë se ka të drejtë të bëjë kontrata të fshehta, duke thënë se Serbia jep qindra miliona.

Sqarimi i plotë i MIE’së:

Pas raportimit të disa mediave lidhur me marrëveshjen e Ministrisë së Integrimit Evropian me kompaninë këshilluese nga SHBA “Madison Global Strategies LLC”, dëshirojmë të sqarojmë se:

Lobimi është praktikë e njohur dhe krejtësisht legjitime të cilën e aplikojnë shtetet për ti avancuar dhe mbrojtur interesat e tyre në botë. Në këtë kontekst nuk bënë përjashtim as Republika e Kosovës.

Duke u ballafaquar me një ofensivë të rëndë lobimi nga Serbia në të gjitha qendrat botërore të vendimmarrjes, me qindra miliona euro të shpenzuara në lobim kundër Kosovës, kjo është gjëja më e pakët që mund të bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës.

Kjo kompani këshilluese fushëveprimin e punës dhe aktivitetet lobuese për shtetin e Kosovës nuk i ka të kufizuara vetëm në SHBA, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo marrëveshje ka qenë dhe është krejtësisht transparente dhe ligjore.

Asnjë procedurë e vetme nuk është shkelur. Të gjitha detajet e saj janë publike dhe mund të gjenden në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Siç edhe mund të shihet në kontratën publike, palë kontraktuese në këtë marrëveshje janë vetëm Ministria e Integrimit Evropian dhe kompania në fjalë.

Po ashtu, duam të theksojmë se baza ligjore e Republikës së Kosovës, e lejon parimin e konfidencialitetit në rastet e lidhjes së kontratave për çështje të ndryshme me interes shtetëror.

Mirëpo, fakti që kjo kontratë është tërësisht publike, dëshmon se nuk ka asgjë për t’u fshehur dhe është praktikë mëse normale për çdo shtet.

 

COMMENTS