Messi takohet me trajnerin e ri të Barcelonës, për të folur rreth të ardhmes së vet

Messi takohet me trajnerin e ri të Barcelonës, për të folur rreth të ardhmes së vet

Ende pa u bërë 24 orë prej se u emërua trajner i Barcelonës, Ronald Koeman i është përveshur punës dhe do ta presë në një takim kapitenin e katalonasve, Lionel Messi, për të folur rreth të ardhmes së tij në Barçë.

Messi është prekur tej mase nga humbja tronditëse dhe turpëruese (8:2) e Barçës kundër Bayern Munich në Ligën e Kampionëve javën e kaluar, aq shumë saqë superylli argjentinas po e mendon seriozisht largimin, transmeton Gazeta Express.

Duke e parë situatën e njeriut kryesor në skuadër, Koeman nuk dëshiron të humbasë kohë dhe ka vendosur ta takojë Messin sy me sy, për të parë nëse mund të gjendet një zgjidhje.

Sipas mediave spanjolle, Messi ka vendosur t’i ndërpresë në gjysmë pushimet dhe të takohet me trajnerin e ri të Barçës.

Çfarëdo që ndodh në këtë takim do të ketë ndikim të madh në vendimin e 33-vjeçarit për të ardhmen.

Koeman e bëri të qartë qysh në konferencën e parë si trajner i Barçës se dëshiron ta ketë Messin pjesë integrale të projektit të vet në Camp Nou dhe ta ndërtojë skuadrën rreth tij.

Mbajtja e Messit në klub nuk është dëshirë e madhe vetëm e trajnerit, por edhe një synim i madh i bordit të Barçës.

Presidenti i Barcelonës Josep Maria Bartomeu nuk dëshiron të largohet nga posti viti e ardhshëm si njeriu që e la të ikte futbollistin më të mirë në histori të klubit.

 

COMMENTS