Mesfushori i Man Unitedit: Duhet ta mbyllim gojën dhe të punojmë

Mesfushori i Man Unitedit: Duhet ta mbyllim gojën dhe të punojmë

Mesfushori brazilian i Manchester Unitedit, Fred, e pranon se “Djajtë e kuq” duhet t’i pranojnë kritikat që janë hedhur drejt tyre gjatë kohës së fundit dhe ta mbyllin gojën e të punojnë në fushë.

Manchester Unitedi e ka shënuar pikën më të ulët në epokën pas pensionimit të Alex Fergusonit. Pas disfatës kundër Newcastle të dielën, klubi radhitet në pozitën e 12-të në tabelën e Premierligë, me dy fitore nga tetë ndeshje të zhvilluara dhe me vetëm pesë fitore qysh nga marsi.

Pas transferimit të Harry Maguire, Daniel Jamesit e Aaron Wan-Bissakas në verë, optimizmi ishte i lartë në Old Trafford, ku një pozitë në top katërshe të Anglisë u cilësua si qëllim i arritshëm pas fitores 4:0 kundër Chelseat në ndeshjen hapëse të sezonit.

Por, që nga atëherë, gjërat kanë shkuar duke u përkeqësuar për Ole Gunnar Solskjaerin, i cili e ka pranuar edhe vetë se do ta ketë të vështirë ta sigurojë një vend në top gjashtëshe të Anglisë.

Fredi është njëri ndër futbollistët që s’i kanë arritur pritjet e krijuara për ta, pasi që 26-vjeçari po vlerësohet nga shumë tifozë si dështak 52.5 milionë funtesh. Ai e pranon se më shumë kërkohet edhe nga ai dhe nga bashkëlojtarët e tij.

“Ata [legjendat e klubit që po kritikojnë] janë brenda të drejtave të tyre, kanë fituar shumë tituj me këtë klub. Ne duhet ta mbyllim gojën dhe të punojmë në fusë. Disa kritika janë të pakuptimta, por shumë prej tyre mund të na shërbejnë si leksione”, ka thënë Fred.

“Më pëlqen ta lexoj se çfarë thonë njerëzit për paraqitjet e mia. Duke i pasur parasysh ato gjëra, unë tentoj të përmirësohem. Unë e di se ky klub është gjigant. Më pëlqen të lexoj për historinë e tyre, lojtarët e tyre më të mirë dhe për momentet historike”.

“Kohët e fundit s’kanë qenë të mrekullueshme për ne, rivalët tanë kanë fituar tituj dhe ne nuk jemi as në Ligën e Kampionëve. Kjo i mërzit tifozët tanë dhe unë ndihem i mërzitur gjithashtu”.

“Ky klub meriton çmime dhe ne do të luftojmë për të arritur gjëra më të mira. Ne duhet ta vendosim Manchester Unitedin në vendin nga ku s’duhej të ishte larguar kurrë”. /Gazeta Express

 

COMMENTS