Mërgim Mavraj pensionohet nga Kombëtarja e Shqipërisë me mesazh emocionues

Mërgim Mavraj pensionohet nga Kombëtarja e Shqipërisë me mesazh emocionues

Mërgim Mavraj ka vendosur të pensionohet nga Kombëtarja e Shqipërisë, pas plot tetë vjetëve shërbimin për kuqezinjtë.

Qëndërmbrojtësi i SpVgg Greuther Fürth, do të mbahet në mend më së miri për shërbimet e tij në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2016, në të cilin Shqipëria mori pjesë për herë të parë në histori të kombëtares, raporton Gazeta Express.

Mavraj i ka bërë 50 paraqitje për kuqezinjtë, përfshirë tri në Euro 2016, duke i shënuar tri gola.

Ai debutoi për Shqipërinë në vitin 2012 në një ndeshje miqësore kundër Katarit, të cilën e kishin fituar 2:1 kuqezinjtë.

“Kanë kaluar gati 8 vite që prej shtatorit të 2012-ës, kur unë debutova për herë të parë me Kombëtaren Kuq e Zi, vite të cilat mbase nuk janë të shumta, porse emocionet, sfidat, sakrificat, rëniet, ngritjet dhe sukseset kanë qënë të mëse të mjaftueshme për të skalitur në brendësinë time përjetime të rralla dhe të pashlyeshme. Ky rrugëtim më ka ofruar mundësinë që ta njoh dhe me mirë vendin tim, njerëzit e vendit tim por dhe vet veten time dhe jo vetëm, si shkak i këtij rrugëtimi dhe sportin arrita ta njoh dhe me mirë”, ka shkruar Mavraj në Facebook.

“Mirëpo si çdo rrugëtim dhe ky e ka një fund, dhe ky fund është më se i lumtur. Ndaj për këtë dëshiroj të falenderoj të gjithë bashkshoqëruesit e mi duke filluar nga Familja ime, Miqt e mi, Ndjekësit e Kombtares Kuq e Zi, Presidentin Armando Duka, Kolegët e mi dhe të gjithë Stafet Teknike me të cilët kam punuar, edhe pse gjithsecili prej tyre meriton një falenderim personal jam i detyruar që të gjithë falenderimet ti përmbledh në keto pak rreshta.”

34-vjeçari i lindur në Hanau të Gjermanisë, shtoi: “Mbi të gjitha falënderimet është falënderimi ndaj Zotit, I Cili ma mundësoj këtë fund të lumtur. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin tonë shqiptar! Zoti na e mundësoftë që Një Flamur të jetë simboli ynë” /Gazeta Express/

 

COMMENTS