Me dy paga në Komunën e Prishtinës

Me dy paga në Komunën e Prishtinës

Të hyrat e këshilltarëve komunal në Kosovë janë akoma të ulëta nga puna që bëjnë nëpër Kuvendet komunale. Andaj, ata detyrohen që të kenë edhe një punë tjetër.

Asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës, gati të gjithë e kanë nga një punë tjetër, ngase ekzistenca vetëm prej të hyrave nga puna e Kuvendit është e pa mjaftueshme. Por, disa nga asamblistët e Prishtinës kanë gjetur punë në Komunën e Prishtinës dhe institucionet që janë nën administrimin komunal nga Komuna. Disa nga ta mund të jenë në konflikt të interesit, shkruan lajmi.net.

Punë më së shumti në Komunë kanë gjetur asamblistët e kryetarit Shpend Ahmeti që vinë nga PSD-ja.

Asamblistja e grupit të kryetarit Ahmeti, Mimoza Sylejmani është punësuar me kontratë mbi vepër në Komunën e Prishtinës në vitin 2018. Konkretisht ajo punon si bashkëpunëtore për rigjenerim urban në kuadër te Drejtorisë se Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit te Qëndrueshëm.

Asamblisti tjetër i PSD-së, Bashkim Beha ndodhet në konflikt të interesit. Që nga viti 2015 ai është u.d i Zyrtarit Kryesor Financiar në Ndërmarrjen Publike Banesore. Kjo ndërmarrje është nën autoritetin e Kuvendit Komunal të Prishtinës me 100 për qind të aksioneve. Beha që nga viti 2017 është edhe asamblist i PSD-së. Pos si asamblist, i njëjti e ka deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit edhe si zyrtar i lartë në NPB. Ndërkaq, Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik e ndalon që një person të ushtrojë dy pozita të larta publike.

Asamblisti tjetër i PSD-së, Drilon Pireva, është udhëheqës i Departamentit të Shërbimeve Profesionale në NPB, dhe në këtë ndërmarrje punon që nga viti 2017. Ky asamblistë nuk figuron si zyrtar i lartë në NPB.

Keq nuk ka mbetur as Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse nuk ka ndonjë pagë të madhe, asamblisti Besnik Mujeci që nga viti 2015 është punësuar në drejtorinë e Administratës, në pozitën ‘futës i të dhënave – operator’ . Këtë pozitë po e ushtron në kundërshtim me ligjin, pasi kontrata e tij është kontratë e përkohshme ose për shërbime të veçanta (kontratë mbi vepër).

Edhe partneri i koalicionit qeverisës AAK-ja po i shfrytëzon Ndërmarrjet komunale. Një rast të paprecedent përbënë asamblisti i kësaj partie, Fadil Gashi. Asamblistët janë aksionarë të Ndërmarrjeve. Pra, Ndërmarrjet raportojnë në Kuvend. Gashi që nga dhjetori i vitit 2018 është këshilltar i Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Regjionale “Pastrimi”, ku komuna e Prishtinës ka shumicën e aksioneve në këtë ndërmarrje.

Edhe, Valbona Ajeti, asambliste në Prishtinë nga radhët e partisë së Ramush Haradinaj, duket që e ka shfrytëzuar pushtetin. Në shtator të vitit të kaluar është përzgjedhur mësimdhënëse në SHFMU “Faik Konica” të Prishtinës në një konkurs të hartuar nga drejtoria e Arsimit. Në atë periudhë kohore Drejtoja e Arsimit udhëhiqej nga partneri i koalicionit AAK-ja.

Ndërkohë, shumë asamblistë të tjerë punojnë nëpër ministri, apo në institucione të tjera.

 

COMMENTS