Mbi 350 elefantë ngordhin në mënyrë misterioze në Botsvanë

Mbi 350 elefantë ngordhin në mënyrë misterioze në Botsvanë

Më shumë se 350 elefantë kanë ngordhur në pjesën veriore të Botsvanës, shtet në jug të Afrikës. Shkencëtarët e kanë cilësuar këtë si katastrofë për mbrojtjen e kafshëve të rrezikuara.

Ngordhja e disa elefantëve ishte raportuar fillimisht në pjesën e parë të majit, ndërsa deri në fund të atij muaji kishin ngordhur 169 elefantë. Deri në mesin e qershorit, shifra ishte dyfishuar. 70 për qind e elefantëve të ngordhur janë gjetur afër burimeve të ujit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

“Kjo është një ngordhje masive që nuk është parë për një kohë shumë, shumë të gjatë. Pas thatësisë, unë nuk kam parë ngordhje kaq të shumta”, tha Dr.Niall McCann, drejtor për mbrojtje në një organizatë bamirëse me bazë në Britaninë e Madhe.

Qeveria e Botsvanës ende nuk i ka testuar mostrat e elefantëve të ngordhur, prandaj nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar këtë gjendje dhe nëse trupat e tyre mund të paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve.

Dy shkaktarët më të mundshëm janë helmimi ose një patogjen i panjohur. Antraksi fillimisht ishte vlerësuar si shkaktar i mundshëm, por këto dyshime janë larguar.

Disa dëshmitarë kanë thënë se i kanë parë disa elefantë duke formuar rrathë gjatë ecjes, që është shenjë se kafshët kanë pasur probleme neurologjike. Në mesin e kafshëve të ngordhura ka elefantë të të dyja gjinive dhe të të gjitha moshave.

 

COMMENTS