Limaj thotë se duhet një reforme e thellë për të përgatitur vendin për 50 vitet e ardhshme

Limaj thotë se duhet një reforme e thellë për të përgatitur vendin për 50 vitet e ardhshme

Kandidati i NISMA për kryeministër, Fatmir Limaj tha se aktualisht preokupimi kryesor për të rinjtë është punësimi dhe hapja e mundësive për një jetë më të mirë.

Në debatin e parë politik gjatë Kongresit Kombëtar të të Rinjve të Kosovës mbështetur nga Friedrich-Ebert-Stiftung, kreu i Nismës Socialdemokrate tha se duan ta ndryshojnë mentalitetin “shkollë”, pasi sipas tij nuk është e domosdoshme të kryejnë fakultet, por ndërtimin e një të riu.

I pyetur nga të rinjtë, për vendimin e taksës dhe ngritjes së çmimeve të produkteve të ndryshme, Limaj tha se vendosja e taksës ka qenë e imponuar dhe se ajo do të hiqet kur të pushojnë arsyet që e kanë sjell atë.

“Shumë është konsumuar arsyeja e taksës. Nuk duhet të merren dy çmimet e produkteve për të përfaqësuar politikën e shtetit. Pozicioni i Qeverisë së Kosovës është ndërtuar mbi këtë shkas, do të largohet kur të pushojnë arsyet që e kanë sjell taksën. Kosova ka qenë e detyruar që në një mënyrë të dërgojë sinjalet e respektit të ndërsjellë”, tha Limaj.

Sipas tij, reformat në shëndetësi, e arsim mund t’i bëjë vetëm kryeministri.

“Pa prioritet e kryeministrit për arsim e shëndetësi nuk mund të reformohen këto dy sisteme. Unë tri vjet e gjysmë kam qenë në qeveri. Ftoj që njerëzit të bazohen në të kaluarën. Unë sa kam pasur kohë kam lënë gjurmë në këtë qeverisje. Mund të krenohem me aeroportin dhe rrugët që i kemi shtruar dhe Kosovën e kemi heq prej balte. E ndiej veten kompetent për të kryer punën si kryeministër”, tha ai.

Limaj tha se nuk duhet të shkohet në shkollë me mendimin që të kopjohet, dhe të merret nota pa meritë, derisa të rinjtë fajësuan sistemin për këtë.

Më tutje, Limaj tha se Kosova është para një momenti kur duhet ndodhë në një reforme të thelle për të përgatitur vendin për 50 vitet e ardhshme duke ia përshtatur kërkesave dhe nevojave që kemi si shtet.

 

COMMENTS