Lëshon ordinancat për të pastrehët, logopedi tregon për iniciativën e tij

Lëshon ordinancat për të pastrehët, logopedi tregon për iniciativën e tij

Fëmijët që deri tash flinin në rrugë e në të ftohtë, tash e tutje do të kenë një vend për tu strehuar gjatë natës. Së paku deri në përfundim të të ftohtit. Gjithë kjo pasi një qytetar nga Prishtina ka shprehur gatishmërinë që t’i lirojë ordinancat e tij në Prishtinë dhe Viti, për strehimin e nevojtarëve. Express iu sjell rrëfimin për iniciativën e Blend Sahitit.

Ushtron profesionin në to, por së fundi ka vendosur që gjatë natës t’i kthejë në strehimore.

Blend Sahiti nga Prishtina ka vendosur që ordinancat e tij, ku ushtron profesionin prej logopedi gjatë ditës, t’i lirojë për strehimin e nevojtarëve gjatë natës.

Gjithë këtë ai thotë se e bën i vetëm, pavarësisht kërkesave për të ndihmuar, e shpenzimeve që ka. Nevojtarëve përveç strehimit, ai iu ofron edhe ushqim e rroba sapo të vendosen në ordinancat që ka në pronësi.

Në një bisedë për Gazetën Express, ai tregon se që prej kur ka marrë iniciativën që t’i lirojë këto hapësira për të ndihmuar ata që flenë në rrugë, ka strehuar mbi gjashtë familje.

Sahiti tregon se shumica e personave që kanë kërkuar strehim në ordinancat e tij, vijnë prej qyteteve të tjera. Derisa thotë se sot nuk është lajmëruar ndonjë rast.

“Nuk kemi ndonjë numër të saktë për të dhënë tani, por me shumë kane qenë familje të vogla me pak anëtarë. Vlen të ceket që personat që kanë ardh kryesisht kanë qenë të qyteteve të tjera të Kosovës, andaj kanë ndej dy netë vetëm e jo më shumë. Për sot ende nuk është lajmëruar asnjë rast në nevojë”, tregon ai.

E për tu strehuar në këto qendra, ai tregon se nuk ka ndonjë kriter. Por, thotë se ata mund të strehohen aty vetëm gjatë natës, ku iu ofrohet ushqim dhe rroba menjëherë pas strehimit.

“Të gjithë ata që kërkojnë strehim gjatë mbrëmjeve ( natës ) pranohen.. sepse dëshiroj ta cek dhe njëherë gjatë ditës unë punoj aty me rastet e mia. Pranohen menjëherë se qëllimi kryesor ka qenë për këta fëmijë, ju sigurojmë rroba tjera, nxemje dhe ushqim të menjëhershëm”, deklaron ai.

E pavarësisht shpenzimeve që ka për strehimin e këtyre personave, Sahiti thotë se do të vazhdojë t’i lëshoj ordinancat e tij për strehim deri sa të përfundojë të ftohtit në vend.

I pyetur nëse po i ndihmon dikush në këtë iniciativë, ai thotë se është i vetëm. Thotë se aktualisht qëndrojnë mirë, por nëse do të kënë nevojë për ndihmë do të kërkojnë.

“Kanë kërkuar shumë që të më ndihmojnë por nuk kam pranuar sepse momentalisht qëndrojmë  mirë, nëse ka nevojë do ta publikoj kërkesën për ndihmë në rrjetet sociale. Ka shpenzime por qëllimi nuk na lejon të shikojmë shumë at pjesë”, rrëfen Sahiti për Express.

Tutje, Sahiti iu bën apel të gjithë atyre që kanë nevojë për strehim që t’i shkruajnë në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, në mënyrë që t’iu sigurojë strehimin.

 

 

COMMENTS