Kur francezët ndërtonin një “Paris të rremë”, për të ngatërruar aviatorët gjermanë

Kur francezët ndërtonin një “Paris të rremë”, për të ngatërruar aviatorët gjermanë

Ishte viti 1917, kulmi i Luftës së Parë Botërore, dhe populli i Parisit ishte tmerruar nga sulmet me bomba të avionëve bombardues gjermanë “Gotha” dhe “Zeppelins”. Sulmet e tyre synonin të shkurajonin dhe demoralizonin popullin francez.

Por në vend të kësaj, ato prodhuan efektin e kundërt. Populli i Parisit nisi të dilte në rrugë, duke bërtitur dhe sharë gjermanët që fluturonin sipër tyre.Ndërkohë u organizua një takim i fshehtë për të krijuar një lloj zbutje midis popullit francez dhe sulmeve ajrore që po bëheshin nga dita në ditë më të shpeshta.

Në një moment inxhinieri italian Fernand Jakopoci,prezantoi një plan që mund të shmangte shkatërrimin e mëtejshëm të kryeqytetit francez. Ai propozoi kopjimin e pjesëve kryesore të qytetit, duke filluar nga zonat industriale tek metroja, dhe qendrën e qytetit me monumentet ikonë si Harku i Triumfit.

Planet u pranuan dhe u detajuan menjëherë, duke u bazuar në faktin se aviacioni në atë kohë varej nga fluturimi vizual dhe shenjestrat piketoheshin pa pajisje të përparuara si radari. Dhe kjo do të thoshte se mjaftonte që kopjet e objekteve të ishin bindëse nga ajri.

Autoritetet planifikuan 3 zona për krijimin e godinave të rreme. Në verilindje, do ngrihej një stacion trenash i rremë. Në veriperëndim, do kishte një kopje të qendrës së qytetit. Në lindje, një zonë industriale me drita false dhe tym që dilte nga “oxhakët”.

Dhe lidhja e të gjitha këtyre lagjeve të rreme, do të ishte një linjë hekurudhore me një tren të bërë prej druri. Por kishte një problem. Parisi, “Qyteti i Dritave”, shkëlqente shumë edhe në orët e para të mëngjesit. Ishte kjo ajo që e bënte atë një objektiv kaq tërheqës për bombarduesit gjermanë.

Pasi ata mund të fluturonin natën dhe ta bombardonin qytetin, duke shmangur taktikat gjithnjë e më efektive anti-ajrore të francezëve. Por edhe për këtë italiani Jakopoci, gjeti një zgjidhje të zgjuar për t’i bindur gjermanët sikur“Parisi i rremë”ishte i vërtetë.

Inxhinieri propozoi përdorimin e një modeli të ndërlikuar dritash me shumë ngjyra, për të kopjuar ato të qytetit real, duke e bërë të dukej sikur Parisi kishte pësuar një black out, një ndërprerje të përgjithshme të energjisë, por dështoi.

Madje italiani krijoi një sistem për të vendosur atje trenin e rremë, duke e testuar dhe vëzhguar atë nga lartësia e Kullës Eifel për të parë nëse dukej bindëse. Qeveria franceze e miratoi këtë plan, duke akorduar shumë fonde, dhe duke punësuar mjeshtrit e nevojshëm për të ngritur strukturat.

Rrugët u shtruan duke pasur parasysh detajet më të vogla, për të kopjuar pikërisht pjesët të Parisit. U përdor bojë edhe në majat e godinave të rreme industriale, për të simuluar pamjen e xhamit që zakonisht përdorej në to.

Megjithatë, e gjithë ajo punë nuk pati ndonjë vlerë. Sulmet e fundit ajrore gjermane ndodhën në shtatorin e vitit 1918, një muaj para përfundimit të luftës. Ndërsa fundi i luftës po afrohej dhe qyteti i Parisit ishte i sigurt nga sulmet ajrore, ishte arritur të ndërtoheshin vetëm disa ndërtesa industriale dhe një stacion treni i rremë, por që nuk shërbyen asnjëherë për luftën.

Kur u nënshkrua armëpushimi që u pasua nga fundi zyrtar i Luftës së Parë Botërore, zyrtarët e qytetit nisën të çmontonin me shpejtësi strukturat e rreme, duke mos dashur që gjermanët të mësonin mbi trukun e tyre.

Megjithatë, ai momenti nuk ishte fundi për Fernand Jakopocin. Ai do të vazhdonte të punonte në projektet e ndriçimit për Kullën Eifel dhe Harkun e Triumfit, duke u bërë i famshëm gjatë viteve të zhurmshme 1920.

COMMENTS