Këto janë bizneset që kanë dominuar në 10 vitet e fundit në Kosovë

Këto janë bizneset që kanë dominuar në 10 vitet e fundit në Kosovë

Klima e biznesit në Kosovë nuk është jashtëzakonisht e favorshme për biznesmenët që dëshirojnë të zhvillojnë aktivitet biznesor, të cilët gjithashtu përballen edhe me probleme të tjera të tregut ekonomik në një vend me zhvillim të ngadaltë si Kosova

Disa lloje të aktiviteteve tregtare kanë qenë në formë konstante të parat në listën e aktiviteteve biznesore më të zhvilluara në Kosovë. Kështu, nga databaza Bizneset e Hapura të zhvilluar nga organizata Open Data Kosovo, përmes të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, mund të shohim që aktivitetet më të mëdha në 10 vitet e fundit janë tregtia me shumicë jo e specializuar, tregtia me pije, dyqanet e tregtisë me pakicë të ushqimeve si dhe ato të mallrave të ndryshme, duke përfshirë tekstilin. Përmes filterit të posaçëm për gjetjen e aktiviteteve kryesore të dekadës së fundit, del që ndërtimi i objekteve banesore dhe objekteve të tjera gradualisht është duke u ngritur në listën e aktiviteteve më të zhvilluara në Kosovë, ndërkohë që pjesa dërrmuese e kësaj liste është në formë konstante e njëjtë në më shumë se 10 vitet e fundit.

Nëse e përshtasim filterin për të parë aktivitetet më të zhvilluara biznesore vetëm në periudhën e vitit të fundit, shohim që aktivitetet shërbyese të pijeve mbajnë vendin e parë, ndërkohë që ndërtimi i objekteve banesore dhe të tjera janë në vendin e dytë, para tregtisë jo të specializuar me shumicë. Restorantet, punimet e suvatimit në ndërtimtari, transporti rrugor i mallrave, instalimet ndërtimore janë disa prej aktiviteteve tjera me prani të madhe në tregun biznesor të Kosovës, në këtë listë prej 10 aktiviteteve kryesore në vitin e fundit. Aktivitetet e pijeve janë të regjistruara me më shumë se 900 biznese në Kosovë në këtë periudhë, ndërkohë që më shumë se 800 biznese të tjera kanë deklaruar si aktivitet ndërtimin e objekteve banesore, aktiviteti i dytë në këtë listë.

Nëse i krahasojmë këto të dhëna me aktivitetet kryesore në pesë vitet e fundit, shohim që tregtia me shumicë jo e specializuar kishte zënë vendin e dytë me gati 4 mijë biznese që kanë zhvilluar atë aktivitet, ndërkohë që ndërtimtaria ka qenë shumë afër me 3,800 biznese të regjistruara në pesë vitet e fundit. Një statistikë e tillë vlen edhe për periudhën e dekadës së fundit, që do të thotë se ndërtimtaria megjithatë nuk ka arritur të marrë vendin e dytë për nga numri i bizneseve që zhvillojnë këtë aktivitet, në raport me tregtinë e pijeve dhe tregtinë me shumicë.

 

COMMENTS