Karrigeja si simbol emancipimi

Karrigeja si simbol emancipimi

se epigraf për partinë klasike.

Karriget fluturuese të LDK mund të interpretohen edhe pozitivisht. Ato mund të merren edhe si manifestim i vullnetit të një baze që nuk duron më kapjen e partisë nga klane seniorësh e oligarkësh të rinj, por synon lumturi për sa më shumë anëtarësi. Pse në ato kuvende marciale gjendja mund të jetë më shpresëdhënëse se sa në ato të führer-ëve të pakontestueshëm.

Xhemal AHMETI

Rishfaqjen e karrigeve fluturuese kuvendeve partiake mund ta interpretojmë edhe ndryshe, pozitivisht. Le ta kualifikojmë amplifikueshëm fillimisht si rebelim të bazës kundër komandës supreme. Si sulm kundër atij formacioni seniorësh, i cili nuk lëshon fronin: në disfavor të reformës dhe pluralitetit. Ky model interpretimi do ta rehabilitonte LDK-në. Për më shumë do ta dallonte nga tjerat që funksionojnë ende nga vullneti i Primatit dhe për mëshirën e Führer-it. Të fundit nuk dalin dot nga natyra e tyre totalitare, ndërsa kjo e etiketuara si pacifiste, konkretisht baza e saj, paska kapur më në fund thelbin e demokracisë liberale dhe do pluralizëm, diversitet, reforma, shanse e më shumë lumturi për sa më shumë anëtarësi e jo vetëm për një klan të mbyllur siç është hierarkia e parë, ajo shtabikja në krye të piramidës, ai klubi i primatëve që de facto edhe është alfa dhe determinuesja e çdo partie klasike.

Apologji e bukur kjo nëse donë që ta shpëtosh një bazë partiake nga apostazia. Nëse bëhemi objektiv mirëpo, karriget fluturake e kokakanosëse, janë manifesti i një procesi krejtësisht tjetër: atij të fundit të partive klasike!

(Ndoshta do i ndizte më bukur teoria Francis Fukuyamas po të ishte më i zgjuar dhe fundin e historisë ta festonte mentalisht, jo me etablimin total të liberalizmit, por me tezën e vdekjes së partive klasike).

2.

Synimi final dhe kapital i çdo partie ishte/është pushteti.  Në zanafillë asaj i nevojitet një ideologji që josh sa më shumë shpirtra të hutuar në kohë dhe hapësirë. Mundësisht një doktrinë që premtimet i ka idealiste ose transcendentale: parafytyrimet utopike janë më të levërdishmet. Tek shqiptarët ndezin më së bukuri ato ideale që varren më shumë nga „politika globale, ndërkombëtare“, vullneti i fqinjve dhe disponimi i perëndive për ta vënë në praktikë jus divinum-in për popullin e shejntë. Atraktive janë edhe programet aktuale të stilit: „kape hajnin“! Me kusht që thirrësi të jetë vetë shefi i hajnave. Politikani i „zgjuar ballkanik“ lidhet në këto „ideale“, ai nuk premton më shumë se mbulimin e ca llofkave me asfalt në lagjen ku është votuar. Ai nuk merr përgjegjësi për asgjë që duhet ta dëshmojë fizikisht.  Partitë përherë kanë qenë të natyrës, qenka humaniteti idiot që megjithatë  i popullon që se ekzsitojnë? Jo, rrëfimet si ky nuk vlejnë për partitë në djeshmëri, janë të kohës sonë, të kësaj të hiperdigjitalizuarës, që informon edhe kur ti flenë. Prandaj konsiderohet kjo kohë si epoka e krizës ekzsitenciale për partitë klasike. Roli dhe natyra e tyre ka ndryshuar totalisht. Ato nuk janë më parimisht faktorët që korruptojnë masat për të fituar pushtetin me premtimin se do realizojnë ideale abstrakte apo se do të bëhen Zvicra e Ballkanit. Besojnë të jenë të tilla, por keqëndrrojnë. Sot ndodhë e kundërta: partitë përdoren nga masat, individët për të realizuar interesat personale si karriera, pasurimi me asistencë të pushtetit, përdoren edhe si terapi për shërim nga statusi i inferiorit, të përjashtuarit e të fatit e të llojit. Është bumerang historik: merr maksimalisht atë prapë që dha tërrë jetën.

Aksionet marciale, karriget fluturuese, mungesa e kandidatëve që do t’u konkurronin führer-ëve primatesk janë rezultat i këtij zhvillimi, jo vetëm shqiptar. Njerëzit që shohin se vetëm nëpërmjet partisë socializohesh, pasurohesh, komodohesh, natyrisht se do hedhin edhe vetën mbi kokat e tjerëve për ta rrëmbyer njëherë shansin.

Po si do mbijetojë sistemi, ky i njohuri dhe më i përkryeri i Fukuyamas  pa partitë që përfaqësojnë masat?

3.

Sociologu britanik Colin Crouch prandaj e quan këtë gjendje „Post-democracy.“ (Cambridge 2005), jo se na ofroi një sistem tjetër më të vyeshëm se demokracia liberale, porse konstaton degradimin e partive klasike në formacione „anarko- sindikaliste“ prudhoneske, ku çdo një që beson se „prona është hajni“ nis luftën për t’u bërë i pasur si tjetri, pasi është i bindur se i takon edhe atij, pavarësisht se a jeton si parazit apo si bohem. Crouch imiton Luhmanin e jo Habermasin: përshkruan dhe nuk normatizon mentalitetin e kohës se si të dal nga kriza: partitë nuk mund të zhduken tashpërtash ngase ekzistencën ua detyron sistemi, për të cilin ende nuk ka zëvendësim. Çelësi i zgjidhjes vjen nga francezët si zakonisht destruktiv në kuptimin e demolimit të narrativave të domosdoshme për humanitetin. Bruno Latour i prinë sagës së re. I mbështetur tek eksperimentet paraprake të dyshes Guattari dhe Deleuze. Latour me „teorinë e tij të rrjeteve“ është bërë shpëtimi i disa partive të mëdha europiane, ngase ka kodifikuar porcesin e rekrutimit të elitave partiake ndryshe: s’ka me poste kyçe për militantin fanatik (rrogë po). Postet kyçe të partisë i marrin meritokratët, ata që sjellin me vete sa më shumë rrjete sociale, lobe, grupe interesi, jo si persona konkret për ministra, por si përfaqësues të tyre, qoftë komunikimi i tyre me masën që menaxhojnë i të jetë i natyrës „virtuale“, nëpërmjet mediave apo fizike për shkak të pozicionit në shoqëri. Rrjetet, lobet, grupet e interesit qofshin ato fetare, politike, biznesore nuk korruptohen aq lehtë si individët – qofshin fukarenj apo grykës – ngase janë formacione ideologjikisht te mbyllura me qëllime konkrete politike a sociale dhe përkrahen parti që u krijon më shumë privilegje ligjore e jo vetëm për tenderë në konto individësh e familjesh të caktuara.

4.

Sot jetojmë në një epokë që ka sendëzuar, materializuar dhe komercialzuar edhe frymën, të vdekurin, të gjallin me gjitha zonat e tij imagjinare; veç tash gjendemi në atë që Max Weber e quante desakralizim, shmagjikim të botës. Ky është çmimi i racionalizimit ekstrem me të cilin njeriu duhet të koekzistojë. Partitë politike shqiptare në këtë modus siç janë, duken që s’kanë kuptuar se në ç’drejtim duhet t’i bëjnë reformat. Prandaj do të zhduken njëra pas tjetrës: Për shkak të mungesës së financave shtetërore të parat që do hedhin shamitë do jenë partitë opozitare. Nëse nuk ndodhin reforma brenda partive ato do degradojnë të tërra në ato skenat që i shohim aktualisht kuvendeve të LDK-së. Tek të tjerat ende jo. Jo deri sa edhe andej t’u plas filmi bazave dhe t’i rrëmbjnë primatët e tyre, të cilët e dinë se po lejuan konkurrencën përfundojnë në harakiri! Partive shqiptare u duhen strategji mbijetimi, me një fjalë u duhen eksponentë që kanë kapur trenin e kohës dhe nuk udhëtojnë ende me gomar dhe shpresojnë se do mbrrijnë para satelitëve të NASA-s në hënë. Me këtë tempo dhe kapacitet karriget do të vazhdojnë të jenë më të shpejta se truri i lodhur i partive. Ndoshta vetëm karriget kokave zgjojnë mentalitete të caktuara?

 

COMMENTS