Kapën mbi 90 kilogramë kokainë në Maltë, kishin destinacion Shqipërinë

Kapën mbi 90 kilogramë kokainë në Maltë, kishin destinacion Shqipërinë

Tri kontenierë që përmbanin kokainë me vlerë më shumë se 10 milionë euro janë konfiskuar nga Departamenti i Doganave në Freeport të Maltës.
Dy prej këtyre kontenierëve, që vinin nga Amerika e Jugut, do të vazhdonin rrugën drejt Durrësit, ndërsa i treti, edhe ai me të njëjtën origjinë, do të shkonte në Selanik.

Operacioni ka qenë rrjedhojë e bashkëpunimit mes Departamentit të Doganave në Maltë, Policisë dhe Autoritetit Portual, shkruan Top-Channel.

“Një njësi monitoruese e doganave kishte piketuar disa kontenierë për skanim, – thuhet në faqen e Doganave të Maltës në Facebook, – e pas verifimit u vunë re parregullsi në 3 prej tyre”.

Kontrollet e mëtejshme nxorën në pah sasinë e narkotikëve të fshehur në sistemin e ftohjes. Sasia e drogës së gjetur mbërrinte në total në 91.2 kg. Prokuroria vendase ka nisur menjëherë hetimet, e ndihmuar edhe nga ekspertë të policisë.

 

COMMENTS