Ka mbetur kush që e do këtë vend?!

Ka mbetur kush që e do këtë vend?!

Nga: VISAR BERISHA

Prandaj, para se, mos e thëntë Zoti, të lirohemi nga prokurorë që i shërbejnë politikës si koracë, qeveritarë dorëlëshuar e dijepak apo tugjarë tokash të Republikës, kjo shoqëri duhet të lirohet nga frika e të qënurit e lirë. Nga frika se ta duash vendin është sakrilegj. E, kjo don ripërcaktim.

Nuk ka mbetur injorant i këtij nënqielli e lërë më dikush me ndërgjegje që ende i frymon e që nuk e ka kuptuar se sa larg kemi shkuar në theqafje, si shoqëri. Jo vetëm pse këtu vidhet, vidhet shumë. Apo pse segmente parapolitike me stof të pasur financiar kanë tredhur tashmë çdo institucion të thirrur për të qenë i pavarur. E kanë shndërruar nëpunësin civil të shtetit në myhyb të klaneve të tyre okulte financiare (sepse këtu ideale politike më kush nuk përfaqëson), i cili aq shumë është shpërfytyruar sa ka filluar t`i bëjë gjygjin vetës pa pasur nevojë ta gjykojnë të fortët, që ia mbajnë në dorë të drejtën për të jetuar.

Nuk është vetëm ky problemi. Ose nuk është ky problemi principal. Problemi kryesor është shpronsimi i dashurisë ndaj këtij vendi. Kjo shoqëri e ka dorëzuar si armë të rrezikshme për shëndetin dashurinë për vendin, për Republikën si shkallën më të lartë të lumturisë shoqërore, politikisht të ndërtuar. Kush nuk dëshiron të identifikohet se ndjenë më për këtë vend. Të gjitha janë vënë në tregun e ankandeve; liria, dinjiteti, fjala, madje edhe toka dhe gurët e sajë.  Dhe askush nuk bëzanë seriozisht, me autoritet, pa kthyeshëm.

Ta kujtojnë Orwellin te romani 1984. Të gjithë të vaksinuar nga të mosndjerit. Për afër 20 vite dozimet pa frerë të pa shpresës e shtypjës  që kemi marrur e kanë qitur në breg njeriun e pa forcë dhe me ideale që i kanë rrënjët në barkut e pangopur. Një kësi njeriu është modeli më i kulluar për ta bërë zap dhe për t`ia shitur lirë edhe gjënë e fundit që ka. Mjafton ta kemi bukën e sotme.

Mediokër që nuk kanë bërë gjë në jetën e tyre veç se ia kanë besuar fatin e tyre zareve që të fortët i hedhin për ta, kanë një shprehje hipokrite se çdo e ngritur e ka edhe të zbriturën e vet, se duhet pritur! Por ata kurr nuk kanë treguar se kur fillon ajo e zbritur. Kurr nuk janë përpjekur t`na e sjellin më afër rrugën që dërgon drejt përballjes apo çlirimit nga pa shpresa.

Prandaj, para se, mos e thëntë Zoti, të lirohemi nga prokurorë që i shërbejnë politikës si koracë, qeveritarë dorëlëshuar e dijepak apo tugjarë tokash të Republikës, kjo shoqëri duhet të lirohet nga frika e të qënurit e lirë. Nga frika se ta duash vendin është sakrilegj.

E, kjo don ripërcaktim. Don dinjitet, përballje dhe autoritet. Autoritet që proklamon dhe mbronë thekshëm të vërtetat e fundme mbi të cilat ndërtohet një Republikë (pra, më shumë se një komb); drejtësinë, solidaritetin dhe liritë. Nën to luftohet, mbi to nuk durohet askush kurse në to gëzohet lumturia shoqnore.

Nëse kjo nuk ndodhë, e rrugë tjetër nuk ka, kjo shoqëri bashkë me Republikën e vet do lëshoj frymën e fundit para këmbëve të atyre që sot e kanë vënë në tregun e gjësë së gjallë. Përballja nuk është vetëm për të sotmen por për fatin e çdo fryme njeriu që nesër, o do jetë rrogëtar oligarkësh barkqitur, o i barabartë në fatin e vet me krejt njerëzit e lirë. Përcaktohuni më, e marr`t e mira!

 

COMMENTS