I lirë është ai që nuk shpreson asgjë dhe nuk frigohet nga asgjë

I lirë është ai që nuk shpreson asgjë dhe nuk frigohet nga asgjë

Nga: Dervish Alimi

Psikologjia e natyrës së njeriut përshkruhet denjësisht nga thënie të bukura të popujve të ndryshëm që kanë lënë gjurmë në historinë e njerëzimit, ndër të cilat thënia e lartpërmendur frënge, që i përshkruan tiparet dhe atributet e një personi të lirë, në kuptimin e plotë të fjalës, sidomos në rrethanat e politikës dhe shfrytëzimit të lirë të të drejtave individuale demokratike dhe qytetare.

Thënia-i lirë është ai që nuk shpreson asgjë, u referohet rrethanave të sotme të shfrytëzimit të të drejtës së votës së lirë dhe të paimponuar nga dikush-në kuptimin e dhënies së shpresës dhe premtimit të sigurimit të të drejtës së punësimit në këmbim të votës gjithëfamiljare gjegjësisht të mos/humbjes së vendit të punës si shantazhim ndaj mos/dhënien e votës.

Në një shtet me zhvillim të ulët ekonomik, qytetarët janë zakonisht të varur nga administrata dhe buxheti shtetëror në kuptimin e punësimit të mundshëm të kuadrove në administratën shtetërore, të cilët shpresojnë të hyjnë apo të mbeten sa më gjatë në listën e pagave të shtetit, por që janë peng dhe pré i shantazheve të përditshme të pushtetarëve, të cilët nga ana tjetër, edhe ata duan të mbeten sa më gjatë në postin e pushtëtmbajtësve, pa mbajtur llogari për shkeljen e të drejtave njerëzore dhe për tejkalimin dhe shpërdorimin e kompetencave të tyre ligjore, dhe të tjera.

S’ mund të votojë i lirë një qytetar, të cilit drejtori apo funkcionari politikan ia kujton përditë ‘favorin dhe meritën’ e politikës aktuale për punësimin e tij, i cili nga ana tjetër nga “mirënjohja” për shërbimin e bërë, duhet të rrijë gatitu në çdo kohë dhe vend, për të mbushur sallat e tubimeve partiake, dhe kutitë e votimit për “shpëtimtaret” e tij. S’ mund të mos ketë frikë të flasë dhe votojë lirshëm një qytetar i cili ka shpresë se edhe ai një dite do të hyjë në listën e pagave të buxhetit, të cilat edhë ashtu më shumë i ngjajnë ndihmave sociale, se sa pagave të barasvlershme për punën e investuar gjatë orarit të punes?

Atij do t’i duhet të ballafaqohet me të gjitha sfidat e pakëndshme dhe të pahijshme, që ia ulin dinjnitetin njerëzor dhe nuk shkojnë aspak përshtati me bindjet dhe pikëpamjet e tij për situatën në vend, dhe aq më keq, do t’i duhet të heshti dhe të përmbahet me deklaratat e tij edhe në një bisedë të thjeshtë në kafene, nga frika mos dikush ua percjell këto fjalë sherifave politikë lokalë, të cilët të hidhëruar nga mosmirënjohja e tij, mund nesër t’i revanshohen në mënyra të ndryshme, apo moz o ma keq, do të duhet ta harrojë punësimin nëse nga humbja e durimit prej pritjes së gjatë për të hyrë në listën e pagave të buxhetit të shtetit, shpërthen nga pakënaqësia prej mashtrimeve dhe mosmbajtjes së premtimeve të politikes aktuale…!

Ku qëndron këtu liria e njeriut që ai të vendosë me bindjen e vet dhe në bazë të ndërgjegjës se vet, larg prej merimangës të politikës, që i rrin mbi krye si shpata e Demokleut…? Liria e njeriut qëndron vetëm në karakterin e tij të fuqishëm të mosbindjes dhe mosnënshtrimit ndaj pushtetmbajtësve dhe në shfrytëzimin e votës së lirë në drejtim tani të “frikësimit’ të politikanit nga vota e tij, sa herë që ai devijon nga premtimet e dhëna.

Njeriu i lirë fundja nuk duhet të ketë shpresë vetëm nga politikani për të siguruar kafshatën e gojës për familjen, por të gjejë mundësi të tjera për sigurimin e ekzistencës, si në biznes, zejtari, bujqësi dhe blegtori, sepse dorën ne zemër, asnjë pushtet nuk i ka pasur duart aq të gjata që të sigurojë bukën e gojës për çdo shtetas, por ka krijuar kushte të volitshme ligjore dhe ekonomike, që një qytetar të jetë i lirë të fitojë nga puna e vet, dhe nga fitimi i punës së tij të paguaj taksa për administrimin e shtetit, si mbrojtës i tij dhe garant i të drejtave të tij qytetare dhe njerëzore…

Vetëm atëherë një qytetar do të jetë i lirë, pa pasur asnjë shpresë dhe frikë nga politika, por anasjelltas, në kushte të demokracisë së vërtetë, politika do të duhej të kishte frikë nga zemërimi i qytetarit të lirë nga mospuna e tij, për të cilën është edhe i paguar nga taksat e tij, sepse ai është fundja në shërbim të qytetarit, prej të cilit duhet të ketë shpresë për një mandat të ri dhe prej të cilit duhet të frigohet për humbjen e mandatit politik dhe vendit të tij të punës! Por çka t’u bësh këtyre politikanëve tanë që për profesion të vetëm kanë vetëm politikberjen, dhe nuk shohin perspektivë për karrierë personale, si rrjedhojë e mos/profesionalizmit të tyre, në jetën e përditshme dhe tregun e konkurencës së lirë, pasi punësimi i tyre i parë dhe i fundit është politika, dhe ata kanë frikë se pas kësaj, nuk do të mund të mbijetojnë në tregun e punës, dhe kjo i shtyn ata që të jenë më agresivë dhe më kërcënues ndaj njerëzve të lirë me mendje dhe shpirt të shëndoshë, që nuk shpresojnë dhe nuk kanë frikë nga askush.

Këtë e ilustron më së miri edhe tregimi për një mbret autoritar i cili në bisedë me një fshatar të thjeshtë, si përgjigje ndaj thënieve të tij se ai asnjëherë nuk e ka shqetësuar mbretin për asgjë dhe nuk e meriton presionin që bëhet ndaj tij, i thotë se pikërisht ai është më i rrezikshëm për mbretërinë e tij, sepse as mund të blihet dhe as mund të frigohet, dhe në rastin e parë të mundshëm, do të ngrente krye ndaj mbretit gjegjësisht pushtetit te padrejtë…!

Prandaj ështe koha e fundit qe njeriu i lirë që nuk blihet dhe nuk frigohet, ta merr fatin në duart e veta, të dëshmojë kush është sovrani dhe t’ua tregojë vendin pushtetmbajtësve, me anë të tërheqjes së autorizimit për t’i përfaqësuar më tej, dhe me dhënien shans të tjerëve që ta dëshmojnë veten, gjithnjë në shërbim të sovranit gjegjësisht punëdhënësit të vërtetë të tij…. Nëse jo, atëherë si qytetarë jo të lirë, të mos ankohemi për fatin dhe rastin e humbur, duke i akuzuar të tjerët për fajin e mungesës tonë të guximit, por të pajtohemi me realitetin e hidhur, sepse fundja nuk meritojmë më shumë…!

 

COMMENTS