I arrestuari Ilir Bojku është mik i Bekim Jasharit e Ramiz Lladrovcit

I arrestuari Ilir Bojku është mik i Bekim Jasharit e Ramiz Lladrovcit

Në opinion Ilir Bojkun e njohin si Gogu. Tash e disa vite, ai është i përfshirë në futbollin kosovar, e në profilin e tij ai shihet me fytyra të njohura. Por, Bojku, që po del të jetë bashkëpunëtor i Ismet Osmanit, pronar i kazinove në Kosovë, është mik i afërt i kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari, dhe atij të Drenasit, Ramiz Lladrovci, shkruan Gazeta Express.

Në një operacion që u bë në disa lokalitete, Polica e Kosovës arriti të arrestojë pronarin e disa kazinove në Kosovë, Ismet Osmani, të njohur si Curri.

Me të u arrestuan edhe dy persona tjerë, bashkëpunëtorë të ngushtë të Currit, Ilir Bojku e Mentor Maqani.

Bojku kishet qenë drejtor i Klubit të Futbollit “Trepça 89”, derisa figuron si një nga investitorët kryesorë në disa klube.

Ai, po ashtu, shihet se është një njeri i afërt me Lladrovcin dhe Jasharit derisa ata janë të pandashëm edhe në shikimin e ndeshjeve të futbollit jashtë Kosovës.

Bojku kishte qenë së bashku me Lladrovcin dhe Jasharin në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, Bayern Munchen – Real Mandrit, gjatë vitit të kaluar.

Lladrovci kishte postuar disa foto ku shihej krah Bojkut derisa i kishte mbështetur një mbishkrim ku kishte shkruar se së bashku me miqtë e tij janë duke përcjellë një atmosferë të mrekullueshme në Allianz Arena.

“Po përcjelli atmosferën e mrekullueshme në Allianz Arena, së bashku me miqtë e mi, Bekimin, Qëndrimin, Ilirin dhe Enisin. Kjo atmosferë është shumë e rrallë, sepse zhvillohet në një ndër stadiumet më të bukur në botë. Sa për lojën nuk po flasim, finale para finales, duke ditur edhe lojën që do të ofroj Bayerni, pres të mbesim të kënaqur. Sonte, për hir të Lapidarit, jam me Bayernin”, kishte shkruar Lladrovci

Ilir Bojku është arrestuar sot nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në një operacion që u bë në disa lokacione.

Një operacion i tillë është kryer edhe në lagjen “Marigona” nga ku Express mësoi se u arrestuan Ismet Osmani, i njohur si “Curri”, i cili është pronar i disa kazinove në Kosovë, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani.

Ndërsa, në arrati vazhdon të jetë Rrahim Hashimi, ish-i akuzuari për rastin e “Sekserëve” , në rastin e Emin Beqirit, ish-shefi i Drejtorisë së Krimeve Ekonomike.

“Mund të konfirmojmë se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një hetimi të gjatë, është duke e realizuar një operacion policor i cili përfshin disa lokacione”, tha Policia e Kosovës për Express.

Gjithashtu, Policia njoftoi se pas përfundimit të operacionit policor, mund të dalë me informacione shtesë.

 

COMMENTS