Heshtja është ar, por edhe nënshtrim!

Heshtja është ar, por edhe nënshtrim!

Nga: Dervish Alimi

Zgjedhjet janë kohë lufte për partite politike për nga vetë definicioni i ekzistencës së tyre. Kush hesht në kohë zgjedhjesh e ka shitur heshtjen me ar, e ka mohuar veten dhe ata që e/i kanë zgjedhur mu për këtë-të luftojnë për ta në kohë zgjedhjesh! Abstenimi në kohë zgjedhjesh i partive prokombëtare në shtete multietnike mund vetëm të konsiderohet si heshtje e paguar shtrenjtë por për interesa personale, dhe detyrimisht edhe nënshtrim pa luftë dhe pa rezistencë.

Si duket, nuk është rastësi që menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve, filluan bisedimet ndërpartiake për riformatimin ligjor të Prokurorisë Publike Speciale, me ç’rast pranohet edhe zyrtarisht dhe politikisht legaliteti i vendimit kontravers “unanim” të Gjykatës supreme për skadimin e mandatit 18- mujor të parashtrimit të padive nga ana e PSP, dhe si pasojë pezullimin dhe parashtrimin e procedurave tashmë të filluara kundër funkcionarëve të lartë të ‘regjimit’ të kaluar.

Ky vakuum ligjor po shfrytëzohet mjeshtërisht nga koalicioni i tashëm qeveritar për të futur nën çilim “mëkatet e kaluara” të partnerit të tashëm qeveritar, në këmbim të votave të saj për kandidatin e a.q. koncensual të saj. Pra, këtu qëndroka ‘koncensusi’ për blerjen e heshtjes së partnerit dhe dorëzimin bllanko të votave partnerit më të madh qeveritar.

Kjo fundja edhe nuk përbën ndonjë vështirësi për partneritetin e dëshmuar të devotshëm dhe besnik të BDI ndaj vëllaut më të madh qeveritar, sepse ajo tashmë është specializuar dhe sofistikuar në mjeshtërinë e heshtjes, kundrejt mbylljes së njërit sy për “mëkatet e vogla” të eksponentëve të saj partiakë, por çmimin vazhdimisht e kanë paguar të tjerët, që pa pikë faji kanë qenë të detyruar në fund ta paguajnë shtrenjtë heshtjen e artë dhe nënshtrimin e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.

Nënshtrimi i tyre i verbër ndaj mirëberesve të tyre në fund ka rezultuar edhe me nënshtrimin e gjithë popullatës votuese ndaj efektit të stagnimit dhe ndaljes së jetës ekonomike për fëmijët e tyre, të cilët nga humbja e durimit refuzojnë të heshtin dhe protestën e tyre e tregojnë me kthimin e shpinës ndaj tyre por edhe ndaj vendlindjes. Efekti domino i nënshtrimit është e pashmangshëm edhe për qytetarët e thjeshtë të cilët rrugëdaljen e gjejnë dhe kërkojnë jashtë vendit, dhe nënshtrohen kësisoj pa luftë dhe në heshtje, (si edhe përfaqësuesit e tyre), për një jetë më të mirë ekonomike, por duke e rrezikuar njëkohësisht edhe identitetin e tyre kulturor edhe nacional, për të cilin prindërit e tyre kishin derdhur aq kohë dhe mund….

Disfata ndaj kësaj luftë eshte e pashmangshme, falë heshtjes dhe nënshtrimit të prindërve të tyre, por edhe të gjithë klasës politike, pa marrë parasysh perkatesinë etnike, sepse në fund të gjithë do të fundosemi në gjirizin qe e kemi krijuar vetë, pasi të gjithë me vetëdije i kemi mbyllur sytë ndaj krimit dhe të keqes…!

 

COMMENTS