Heqja e listës për stenta në QKUK, flet pacienti që u trajtua pa pritje

Heqja e listës për stenta në QKUK, flet pacienti që u trajtua pa pritje

Pas shumë vitesh në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është arritur që të eliminohet tërësisht lista e pritjes për stenta. Pacientët kosovarë që kanë probleme me zemrën nuk do të kenë më nevojë që të presin me muaj të tërë, apo t’ua mësyjnë spitaleve private për ta kryer një stentim. Klinika e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, ka arritur që ta heqë listën e pritjes së pacientëve. Rastet emergjente, sipas drejtuesve të SHSKUK’së, do të kryhen në një afat rekord

Latif Latifi, nga fshati Ratkoc, i komunës së Rahovecit, ia kishte mësyrë QKUK’së në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai kishte pasur sulm në zemër dhe nga Rahoveci ishte drejtuar urgjentisht drejt QKU’së. Aty, këtij pacienti i janë vendosur stentat në orën 7 të mëngjesit të sotëm.

Disa orë pas trajtimit, Latif Latifi, thotë se ndihet mirë me shëndet.

“Unë e kam pas një problem të vështirë. Mezi kam arrite me ardh deri këtu. Por mjekët e kryen punën mirë. Kontrolli është në nivel. Tash jam mirë, ndihem mirë. Në 5 e gjysmë jam nisë prej shtëpisë në 7 kom hy në operim. Tash jam mirë. Nuk kam dhimbje e as asgjë”, thotë ai.

Pacienti, Latif Latifi

E aq e mirë është gjendja e tij shëndetësore, saqë ky pacient thotë se e ka marrë malli edhe për lojën e futbollit.

“Aq mirë jam saqë mu qu tash luj futboll”, thotë ai.

E janë edhe dhjetëra pacientë të tjerë të cilët në baza ditore e frekuentojnë QKUK’në si pasojë e sulmeve në zemër. Të gjithë këta nga sot do të kenë mundësi që stentimin ta kryejnë brenda ditës. Kështu po thonë zyrtarë të QKUK’së.

Drejtori i SHSKUK’së, Basri Sejdiu, në një deklaratë për Gazetën Express, ka thënë se janë të gëzuar për heqjen e listës së pritjes për stentime.

“Sëmundshmëria është shumë e madhe në sistemin kardiovaskular. Heqja e listës për stentim është një lajm mjaftë i madh për ne. Pacientët emergjent menjëherë trajtohen. Stentimi bëhet aty për aty”, thotë Sejdiu për Express. Tutje ai tregon se që nga janari e deri në qershor të këtij viti janë kryer rreth 1200 stentime në QKUK.

“Me diku 1500 stentime. Të gjithë pacientët me infarkt trajtohen në QKUK. Furnizimi është stabilizu me stenta. Në sallë ka laramani të stentave kualitative dhe material të bollshëm për punë 24 orësh në 4-5 muajt e ardhshëm. Presim që edhe kontratat të përtërihen”, sqaron drejtori i SHSKUK’së.

Nga Klinika e Kardiologjisë dhe Kardiologjisë Invazive në QKUK theksojnë se brenda ditës në këto klinika kryehen 4-5 stentime. Drejtori i klinikës,Tefik Bekteshi, i tha Expressit se gjatë këtyre ditëve janë ftuar të gjithë pacientët  që t’i kryejnë stentimet.
“Të gjithë pacientët që kanë qenë në listë janë ftu, janë caktu datat e sakta se kur do të bëhet procedura e stentimit. Çdo pacient që vjen në të ardhmen  do të stentohet menjëherë ose do t’i caktohet data”, thotë Bekteshi.

Ai tregon se QKUK’ja ka material të mjaftueshëm për disa muaj me stenta.

“Kemi mjaft stenta tani. Përpara një prej problemeve më të mëdha ka qenë furnizimi me stenta. Tani jemi shumë mirë të furnuizuar. E kemi mundësinë që mos të kemi listë të pritjes për stentim”, thotë Bekteshi.

E ndërkohë para disa muajve, lista e pritjes për stenta në QKUK ka qenë e gjatë. Pacientët për stenta e koronarografi është dashur që të presin me vite të tëra. Madje ka pasur pacientë të cilët edhe kanë vdekur duke pritur radhën për të vendosur një stentë, apo për të kryer një koronarografi në QKUK. /GE

 

 

COMMENTS

COVID-19 Statistika

Këtu i keni informatat e fundit lidhur me pandeminë COVID-19