Gjykata për 3 të dyshuarit për terrorizëm: Të rrezikshëm për jetën e qytetarëve

Gjykata për 3 të dyshuarit për terrorizëm: Të rrezikshëm për jetën e qytetarëve

Dy prej tre kosovarëve të arrestuar për terrorizëm, javën e shkuar në Kosovë, janë deklaruar të pafajshëm para gjykatës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre. Vetëm njëri prej tyre është mbrojtur në heshtje. Gjykata të treve u ka caktuar 30 ditë paraburgim. I arrestuari në Gjermani, për të njëjtin rast, nuk përmendet në vendimin për paraburgimin e tre kosovarëve.

Resim Kastratit, Albert Ademajt dhe Leutrim Musliut, në të njëjtën ditë që janë arrestuar, Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar nga 30 ditë qëndrim në paraburgim.

Asnjëri nga tre kosovarëve të dyshuar për “përgatitje dhe kryerje të veprave terroriste”, “ndihmë në kryerjen e terrorizmit”, dhe “armëmbajtje pa leje” nuk ka pranuar në gjykatë se kanë kryer veprat penale për të cilat janë kapur të premten e shkuar nga Policia e Kosovës dhe AKI’ja.

22 vjeçari nga Drenasi Leutrim Musliu dhe 26 vjeçari nga Prizreni Resim Kastrati janë deklaruar të pafajshëm, derisa më i rrituri nga ta, 30 vjeçari Albert Ademi, po ashtu, nga Prizreni, është mbrojtur në heshtje.

Në vendimin për paraburgimin e tre kosovarëve, Gjykata Themelore e Prishtinës ka vlerësuar se ndonjë masë më e butë ndaj të dyshuarve do të paraqiste rrezik për qytetarët e Kosovës, porse edhe do t’u krijonte mundësi që tre të arrestuarit të arratiseshin.

“Lënia në liri e të dyshuarve do të paraqiste rrezik të madh për jetën e qytetarëve të Kosovës dhe për rendin Kushtetues të Kosovës, pasi që me veprimet e tyre shihet dashja dhe vullneti për të ndërmarrë aktiviteteve kriminale, me qëllim të kryerjes së veprave penale”, thuhet në aktvendimin e gjykatës.

Aty tregohet se Prokuroria Speciale e Kosovës, në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tre kosovarëve, ka bërë të ditur se Resim Kastrati, Albert Ademaj dhe Leutrim Musliu përmes përgjimeve telefonike janë zbuluar të kenë organizuar një sulm terrorist në Kosovë, që pretendohet të jetë parandaluar pas arrestimit të tyre.

Për, këtë njoftohet se janë sekuestruar edhe disa pajisje të ndryshme elektronike, përfshirë edhe telefonat e tyre mobilë, shkruan Gazeta Express.

Gjykata ka arsyetuar gjithashtu se po të lirohen të dyshuarit, ekziston rreziku se të njëjtit do t’i asgjësonin, fshihnin, ndryshonin apo falsifikonin provat materiale pasi gjykata ka vlerësuar se “veprimet e tyre janë në lidhje kauzale në mes vete”.

Por përveç, Kastratit, Ademajt dhe Musliut, as në kërkesën e Prokurorisë së Shtetit, por as në aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës nuk përmendet emri i të arrestuarit të katërt në këtë rast, Bujar Behrami, i kapur të njëjtën ditë në Gjermani.

Kërkesa e Prokurorisë është kundërshtuar nga tre të arrestuarit, sikurse edhe nga avokatët e tyre mbrojtës.

Madje, Leutrim Musliu gjykatës i ka thënë se po të donte t’i ikte drejtësisë, atëherë ai veçse do ta kishte bërë një gjë të tillë, me që i njëjti është i dënuar me tre vite e gjysmë burgim në rastin e njohur “Izraeli”, ku një grup kosovarësh dyshohen për një sulm të parandaluar terrorist në Shkodër, dy vite më parë.

Sikurse, Musliu, edhe prizrenasi Kastrati ka të kaluar me plotë dyshime tjera për ndërlidhje me terrorizëm, shkruan Gazeta Express.

Ai, në janar të 2015’ës ishte dëbuar nga Italia për në Kosovë pasi akuzohej se është ekstremist islamik dhe kishte për qëllim të nisej për xhihad. Më herët të njëjtin e kishte dëbuar edhe Gjermania për të njëjtat dyshime.

I dyshuar për terrorizëm edhe një herë tjetër kishte qenë edhe Bujar Behrami, emri i të cilit nuk përmendet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të nxjerrë të premten e javës që shkoi. Në shkresën në fjalë bëhet vetëm e ditur se ai është arrestuar në Gjermani, nga autoritetet gjermane, për ndërlidhje me tre kosovarët e arrestuar në Kosovë.

Bujar Behrami në janar të vitit 2014 ishte arrestuar si pjesë e grupit të dyshuar terroristë të cilët ishin kapur në flagrancë duke blerë armë me të cilat synon marrjen në kontroll të një prej stacioneve të Policisë së Kosovës. Por, vetëm pak muaj pas Behrami ishte liruar, derisa pjesa tjetër e grupit vazhdojnë të përballën me drejtësinë në Kosovë, në gjyqin për terrorizëm që është pranë përfundimit.

Aktvendimi i Gjykatës së Prishtinës për caktimin e një muaji paraburgim ndaj të dyshuarve, sikurse më herët që kishte njoftuar edhe Policia e Kosovës, bën të ditur se gjatë kontrolleve në shtëpitë e tre të arrestuarve janë gjetur armë automatike, karikatorë të armës AK 47 me 40 fishekë, pushkë ajrore, revole, dylbi, gjësende tjera, të cilat, dyshohen se janë përdorur për kryerjen e veprës penale dhe të cilat do të analizohen në vijim.

Aty, zbulohen edhe nofkat që kanë përdorur dy nga tre të arrestuarit në Kosovë. “Habibi”, prokuroria pretendon se është quajtur Resim Kastrati, ndërsa “Enesi” thuhet të ketë qenë nofka e Albert Ademajt.

Resim Kastrati, Albert Ademaj dhe Leutrim Musliun dyshohen se nën urdhëruat e Bujar Behramit, nga Gjermania, po planifikonin të kryenin sulme terroriste në Kosovë.

Cak të sulmeve dyshohen se kishin hapësirat publike dhe institucionet qendrore në vend. /GE

 

COMMENTS