Gjithçka rreth vizitës së Vuçiqit në Kosovë, a do ta shkelë fjalën e Ramush Haradinajt

Gjithçka rreth vizitës së Vuçiqit në Kosovë, a do ta shkelë fjalën e Ramush Haradinajt

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka nisur ditën e dytë të vizitës së tij në pjesën veriore të Kosovës, me një shëtitje në lagjen e quajtur “Lugina e Diellit”, që përfshinë një projekt të Qeverisë së Serbisë për ndërtimin e 300 shtëpive për kthimin dhe strehimin e rreth 1 mijë e 500 banorëve serbë të zhvendosur.

Ndërkohë, njëri prej lokaliteteve në agjendën e Vuçiqit, vizita në Banjë të komunës së Skenderajt nuk do të mund të realizohet, pasi që një grup qytetarësh shqiptarë nga kjo komunë kanë bllokuar rrugën.

Shoqatat e dala nga ish-strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga kjo komunë, të mbështetura edhe nga politikanë lokalë atje, kanë ftuar qytetarët që të dalin në rrugë që nga orët e mëngjesit, për t’i pamundësuar Vuçiqit të shkojë në fshatin Banjë.

Nisur nga gjendja e krijuar në këtë komunë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vendosur që për shkaqe sigurie, kjo pjesë e agjendës së Vuçiqit të anulohet.

E rredh ndalimit për ta vizituar Drenicën ka folur edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Ai ër portalin Koha.net se bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë marrë vendim sot në mëngjes për të tërhequr lejen e dhënë për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, që ai të kalojë në zonën e Drenicës.

Pacolli tha se tani veç gjinden në terren dhe po monitorojnë situatën dhe tha se është nën kontroll gjithçka. I pyetur nëse pret një reagim nga pala serbe, ai tha se nuk do të duhej të kishte.

“Nuk do të duhej të kishte ndonjë reagim, por, nuk po paragjykoj njëherë asgjë”

Po sot, Vuçiq ka paralajmëruar se do të mbajë një tubimin me qytetarët në Mitrovicë të Veriut. Ai tha se do të vjen në Kosovë me plane ekonomike konkrete, por edhe për t’ua thënë të vërtetën serbëve të Kosovës.

“Të dielën në orën 12 është tubimi në Mitrovicë, në të cilin unë i ftoj të gjithë njerëzit, të cilët dëshirojnë të dëgjojnë edhe atë që ndoshta nuk do t’iu pëlqejë në tërësi, por do ta dëgjojnë të vërtetën”, Vuçiq.

E në ditën e parë të vizitës së tij në Kosovë, presidenti serb qëndroi në Zubin Potik e Zveçan. Kurse një ndalesë të veçantë kishte te Liqeni i Ujmanit (Gazivodës).

Prej aty, Vuçiq bëri thirrje për një zgjidhje paqësore ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, por edhe kishte këmbëngulur që pasuritë dhe burimet ekonomike, si Ujmani (Gazivoda) dhe Trepça janë, sipas tij, pasuri e Serbisë.

Vuçiq tha se Ujmani është një liqe shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Andaj, sipas tij, është me rëndësi që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dy palët.

“Mendoj se në Gazivodë (Ujman) shihet më së miri pesha e problemit me të cilin ballafaqohemi”, tha Vuçiq.

Aleksandar Vuçiq, u ka thënë përfaqësuesve serbë të komunave veriore të Kosovës se nuk është i sigurt se do të mund të arrihet marrëveshje në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por ai është shprehur i gatshëm që bisedimet dhe angazhimet për një zgjidhje të pranueshme të vazhdojnë.

Ndërkaq, gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, të zhvilluar në Zveçan, ai tha se me gjithë përpjekjet e mëdha, është gati e pamundur të arrihet një marrëveshje e pranueshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të dialogut të Brukselit, që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Vuçiq tha se problemi shqiptaro- serb është shumë kompleks dhe nuk mund të zgjidhet brenda natës.

Vuçiq tha se arritja e marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është e vështirë jo vetëm për shkak të dallimeve ndërmjet palëve, por edhe për shkak të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare.

“A do të thërras për luftë, jo këtë nuk do ta bëj që familjet e juaja t’i shtyj drejt vdekjes”, tha presidenti serb.

Ai tha se ka ardhur në Kosovë me idenë që të ruhet paqja, stabiliteti dhe t’i vazhdojë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për problemet shekullore ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Pjesa veriore e Kosovës e banuar nga shumica serbe, e cila po vizitohet nga presidenti serb, vazhdon të mbetet e ndikuar nga Beogradi, përkundër përpjekjeve disavjeçare të autoriteteve të Kosovës për integrimin e kësaj pjese.

Po ashtu, kjo vizitë e presidentit serb, po realizohet në kohën kur nga tavolina e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel janë lansuar ide për ndryshimin e kufijve.

 

 

COMMENTS

COVID-19 Statistika

Këtu i keni informatat e fundit lidhur me pandeminë COVID-19