Fshati Vranidoll i harruar, Komuna thotë se nuk mund të realizojnë 5-6 projekte për çdo fshat

Fshati Vranidoll i harruar, Komuna thotë se nuk mund të realizojnë 5-6 projekte për çdo fshat

Mungesa e kanalizimit, ujësjellësit si dhe emërtimet e rrugëve janë disa nga problemet që po shqetësojnë banorët e fshatit Vranidoll të Komunës së Prishtinës.

Ndërsa, nga Komuna kanë pohuar se është në plan një projekt për këtë fshat që do të realizohet gjatë këtij viti.

Rrugët e fshatit Vranidoll të Prishtinës nuk janë të emërtuara. Fshati përkundër që ka dorëzuar peticion në komunë, nuk kanë marrë përgjigje.

“Ne si fshat kemi shumë probleme. Emërimi i rrugëve është problemi parë. Rrugët na janë shkatërruar të gjitha. Nga viti 2002 askush nuk ka investuar më në fshatin tonë. Këtu ndihmë dhe njëkohësisht kërkojmë përgjigje nga Kryetari i Komunës, pse jemi anashkaluar deri më tani në çdo aspekt”, tha për RTV Dukagjinin, përfaqësuesi i fshatit Behxhet Recica.

Mirëpo ky nuk është problemi i vetëm që po i shqetëson banorët e këtij fshati, pasi që ata nuk kanë as kanalizim e as ujësjellës.

“Fshati Vranidoll ka mungesë të ujit qysh prej katër vitesh. Kemi bërë kërkesa qysh moti në Komunë e ujësjellës por nuk na kanë bërë zgjidhje”, shprehet banori Musa Kelani.

Ndërsa drejtori i Infrastrukturës, Gëzim Mehmeti, gjatë emisionit  Zyra e Ankesave ka pohuar se ka një projekt për këtë fshat, i cili do të realizohet gjatë këtij viti.

“Në këtë vit, bazuar në planifikimet që i kemi bërë kemi marrë edhe një kërkesë nga ky fshat i Komunës së Prishtinës. Prishtina ka mbi 50 fshatra dhe kanë qenë diku mbi 300 kërkesa por kapacitet buxhetore nuk na lejojnë të zhvillojmë 5-6 projekte në vetëm një fshat, kështu që Vranidolli e ka një projekt që do të realizohet”, tha Gëzim Mehmeti.

 

COMMENTS