FFK me njoftim të rëndësishëm para njëvjetorit të vdekjes së Fadil Vokrrit

FFK me njoftim të rëndësishëm para njëvjetorit të vdekjes së Fadil Vokrrit

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit, Agim Ademi e ku shqyrtoi shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës.
KE analizoi rrjedhën e garave të Kampionatit të Kosovës dhe konstatoi se ato kanë rrjedhë normale sipas orarit dhe dinamikës së paraparë, njofton FFK.

Sipas KE të FFK-së, ka ngritje të cilësisë, organizimit dhe sjelljes së futbollistëve dhe ndarjes së drejtësisë.

“Është konstatim i të gjithëve se ka një ngritje të cilësisë, si në organizim, lojën në fushë, sjelljen e futbollistëve dhe ndarjen e drejtësisë, që kampionatin po e bën mjaft joshës, interesant me një rivalitet të madh sportivë. KE do të jetë i angazhuar maksimalisht që mbarëvajtja e garave të shkojë deri në fund ashtu si duhet, ndaj u bën thirrje, klubeve, gjyqtarëve e vëzhguesve në veçanti që të jenë në nivelin e detyrave dhe përgjegjësive dhe gjithë faktorëve tjerë relevant me besim të plotë që të jenë po ashtu të angazhuar në nivelin më të lartë që të kemi një përfundim të suksesshëm të kampionatit. KE nuk do të lejojë asnjë tendencë, që shkon në dëm të mbarëvajtjes së garave dhe që dëmton dhe prish imazhin e futbollit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

KE diskutoi edhe për njëvjetorin e vdekjes së legjendës së futbollit, ish presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri, ku mori vendim dhe themeloi komisionin për rregullimim e varrit.

“Kështu që, Komisioni i përbërë nga Agim Dibrani, kryetar, Arianit Ahmeti, Ilaz Mjaku e Mirsad Çollaku anëtarë, do të përkujdesen për mbarëvajtjen e punimeve të varrit të ish-presidentit. Po ashtu, KE në datëlindjen e legjendës Fadil Vokrri më 23 korrik do të organizojë një turne përkujtimor në kategorinë e veteranëve të kohës dhe brezit të Fadil Vokrrit, e ku do të marrin pjesë veteranët e klubeve, në të cilat ka luajtur legjenda, Llapi, Prishtina, Partizani dhe Fenerbahçe. Për këtë turne dhe mbarëvajtjen e tij KE themeloi Komisionin në përbërje Bakir Buri, kryetar, Jusuf Tortoshi e Luan Salihu anëtarë”, shkruan më tej në njoftim.

Në këtë mbledhje KE vendosi edhe për hartimin e Strategjisë Zhvillimore të FFK-së për periudhën 2020-2024, në përputhje edhe me kërkesat e UEFA-s për hartimin e strategjisë të federatave kombëtare. Për hartimin e kësaj strategjie do të përkujdesen presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu bashkë me shefat e sektorëve në FFK si dhe do të angazhojë ekspertë të fushave në mënyrë që strategjia të jetë sa më profesionale dhe gjithëpërfishrëse.

KE shqyrtoi dhe analizoi edhe agjendën e grumbullimeve të ekipeve kombëtare dhe mori vendim që të gjitha agjendat e punës së Kombëtareve të jenë në përputhje me racionalitetin dhe nevojat e duhura në përputhje me objektivat e secilës kombëtare. Po ashtu KE shqyrtoi edhe kërkesat dhe parashtresat drejtuar këtij organi. /Lajmi.net

 

COMMENTS