FFK-ja dhe klubet e Superligës thonë se sezoni dështon nëse Ministria s’ua pranon planin

FFK-ja dhe klubet e Superligës thonë se sezoni dështon nëse Ministria s’ua pranon planin

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe përfaqësuesit e klubeve të ligës elitare kosovare kanë paralajmëruar se sezoni 2019/20 në Ipko Superligë do të dështojë, nëse Ministria e Sportit nuk ua pranon planin për rifillimin e sezonit këtë muaj.

FFK-ja e ka përpiluar një plan për rikthimin e skuadrave në stërvitje nga mesi i këtij muaji dhe kthimin në fushë me ndeshjet gjysmëfinale në Kupën e Kosovës nga 24 maji, ndërsa rifillimin e kampionatit nga 1 qershori, raporton Gazeta Express.

Por në vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për lehtësimin e masave kufizuese për mbrojtje ndaj pandemisë koronavirus, rikthimi i aktiviteteve lejohet vetëm nga 1 qershor.

Mbi 800 persona janë prekur me Covid-19, 26 prej të cilëve kanë humbur jetën në Kosovë, por janë shëruar rreth 500 prej tyre dhe numri i rasteve të reja ka rënë dukshëm në javën e fundit.

Pavarësisht vendimit të qeverisë, Llapi i ka rifilluar stërvitjet para dy ditëve dhe organi qeverisës i futbollit në vend bashkë me klubet janë duke i bërë presion Qeverisë ta aprovojë planin e tyre për rikthim më të hershëm të futbollit.

Këtë e kanë kërkuar edhe sot drejtuesit e FKK-së dhe përfaqësuesit e klubeve në një takim me ministren e Sportit Vlora Dumoshi.

“Temë e parë e këtij takimi ishte mundësia e rifillimit të garave, ku sekretari i përgjithshëm i njoftoi klubet se presidenti Ademi është në takimin e përbashkët të federatave me ministren Dumoshi dhe se tashmë FFK-ja iu ka drejtuar me shkresë të gjitha institucioneve që klubeve t’u mundësohet kthimi në stërvitje në mesin e këtij muaji si dhe zhvillimi i dy ndeshjeve gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës më 24 maj dhe rifillimi i kampionatit më 1 qershor, pasi afatet e parapara për rikthimin e aktiviteteve sportive me masat lehtësuese nga Ministria e Shëndetësisë nuk i mundësojnë FFK-së përfundimin e garave në afatet e parapara të UEFA-s”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

FFK shton tutje: “Sa i përket kësaj çështje përfaqësuesit e të gjitha klubeve ishin unik dhe të pajtimit që nëse pranohen afatet e FFK-së të rifillohet me gara, përndryshe nuk do të ketë mundësi të vazhdimit të kampionatit.”

Sezoni në Superligë u pezullua më 13 mars pas javës së 22-të, menjëherë pas rasteve të para me Covid-19 në vend.

Ipko Superliga i ka edhe 11 javë të mbetura, me Ballkanin që prin me 44 pikë, një më shumë se Drita në vendin e dytë.

 

COMMENTS

COVID-19 Statistika

Këtu i keni informatat e fundit lidhur me pandeminë COVID-19